Ballina Ekonomia 506 milionë Euro detyrime të papaguara në Dogana, 90% mbi 5 vite...

506 milionë Euro detyrime të papaguara në Dogana, 90% mbi 5 vite pa u mbledhur

70
0

Në fund të vitit 2024, detyrimet e papaguara doganore kanë arritur në afro 48.6 miliardë lekë ose 506 milionë euro për 4,684 raste, me një rritje prej rreth 995 milionë lekë ose 2.1% krahasuar me një vit më parë. Nga kjo shumë, 334 milionë lekë ose 0.7% lidhen me detyrimet e reja të krijuara gjatë vitit 2024, ndërsa pjesa tjetër e rritjes vjen nga kamatvonesat mbi borxhet e vjetra.

Të dhënat vijnë nga auditimi tematik i Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2024, i cili evidenton se administrata doganore nuk ka siguruar një proces efektiv për mbledhjen e detyrimeve të mbartura, duke rritur rrezikun që këto borxhe të mbeten të pambledhshme për shkak të kalimit të afateve dhe mungesës së veprimeve në kohë.

Sipas raportit, problemi kryesor qëndron te borxhi i vjetër: detyrimet e papaguara mbi 5 vjet nga momenti i lindjes arrijnë në 44 miliardë lekë, ose rreth 90% e totalit të stokut. Kjo tregon se masat administrative kanë qenë relativisht efektive për detyrimet e reja, por pothuajse të papërfillshme për ato të mbartura ndër vite.

Auditimi ka gjetur mangësi në ndjekjen procedurale të rikuperimit: 613 raste në shumën rreth 14 miliardë lekë, pa të dhëna për vendim për rikuperim me forcë; 840 raste në shumën 2.4 miliardë lekë, pa kërkesë në gjykatë për urdhër ekzekutimi; 105 raste në shumën 404 milionë lekë, ku urdhrat e lëshuara nuk janë dërguar për ekzekutim.

Në një tjetër grup prej 765 rastesh, me vlerë 14.2 miliardë lekë, edhe pse urdhrat e ekzekutimit janë dërguar në përmbarim, autoriteti doganor nuk ka ndërmarrë masa konkrete për mbledhjen e detyrimeve, si bllokimi i NIPT-it, i llogarive bankare apo i aseteve.

Raporti thekson gjithashtu probleme të thella administrative si mungesë informacioni të përditësuar nga degët doganore mbi statusin e çështjeve, mungesë dokumentacioni për komunikim të vazhdueshëm me përmbaruesit gjyqësorë dhe mungesë bashkëpunimi efektiv ndërmjet strukturave të brendshme të Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, sidomos për veprimet e sekuestrimit.

Si pasojë, sipas KLSH-së, administrata doganore nuk ka vepruar në përputhje me përcaktimet ligjore, duke e orientuar ndjekjen e detyrimeve drejt përmbarimit gjyqësor, ndërkohë që vetë nuk ka shfrytëzuar mjetet administrative që ka në dispozicion. /ekofin.al