Ballina Kronika Djegia e lokalit në Radhimë, pronarët: Është e qëllimshme, kemi konflikte me...

Djegia e lokalit në Radhimë, pronarët: Është e qëllimshme, kemi konflikte me pronën

84
0

Një beach bar në zonën e Radhimës u përfshi nga flakët mbrëmjen e djeshme, 8 maj, ndërsa pronarët dyshojnë se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Familja Çanaj, e cila zotëronte lokalit, ka deklaruar se konflikte për pronat mund të jenë shkaku i ngjarjes.

Sipas Dejsi Çanaj, rreth orës 21:40 dëgjoi hapa pranë lokalit dhe pak më pas shpërtheu zjarri. Ajo theksoi se energjia elektrike në objekt ishte e stakuar, duke përjashtuar një shkak teknik, dhe se konflikte me pronësinë kanë ekzistuar prej kohësh.

“Dëgjova disa zhurma fillimisht dhe në orën 21:40 dëgjova gjyshen që bërtiti kur pa zjarrin dhe për pak minuta u përfshi i gjithi nga flakët. Dyshojmë që është e qëllimshme, pasi energjia elektrike ishte e stakuar dhe nuk mund të vinte nga një defekt. Me pronësinë kemi pasur gjithmonë konflikte”, tha ajo.

Policia e Vlorës ka mbërritur në vendngjarje dhe po merr në pyetje pronarët dhe familjarët. Forcat e rendit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë të beach barit dhe bizneseve përreth për të identifikuar autorin e dyshuar, i cili sipas pronarëve është larguar drejt kodrave të fshatit Radhimë.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë pamjet filmike dhe po intervistojnë banorët për të zbuluar shkakun e zjarrvënies.