Ballina Ekonomia Privatizimi i banesave shtetërore, Qeveria lehtëson dokumentet dhe zhbllokon rastet pa tituj...

Privatizimi i banesave shtetërore, Qeveria lehtëson dokumentet dhe zhbllokon rastet pa tituj pronësie

111
0

Qeveria ka ndryshuar rregullat për privatizimin e banesave shtetërore dhe objekteve të kthyera në banesa, duke zgjeruar kategoritë që mund të përfitojnë, lehtësuar dokumentacionin dhe ulur kostot për një pjesë të familjeve, por duke shtuar edhe tarifa të reja operative. Ndryshimet prekin kryesisht familjet që jetojnë prej vitesh në banesa të ndërtuara nga ish-ndërmarrjet shtetërore ose në apartamente që kanë mbetur ende të paprivatizuara.

Ndryshim thelbësor pëson mënyra si llogaritet sipërfaqja “mbi normë”. Deri tani, çdo sipërfaqe shtesë mbi normat e strehimit paguhej me çmimin e tregut. Me vendimin e ri, kjo sipërfaqe do të llogaritet me “koston aktuale të ndërtimit”, çka në praktikë pritet të ulë ndjeshëm faturën për familjet që kanë apartamente më të mëdha se norma e përcaktuar.

Po kështu ndryshon edhe rrethi i përfituesve. Për banesat që kanë qenë subjekt i ligjit të vitit 2004, privatizimi nuk do të bazohet më vetëm te certifikata familjare e vitit 2004, por te familjarët madhorë që banojnë aktualisht në banesë dhe figurojnë në certifikatën aktuale familjare. Kjo u jep mundësi përfitimi edhe familjeve që kanë ndryshuar përbërje ndër vite ose që nuk përfshiheshin në dokumentacionin e mëparshëm.

Vendimi gjithashtu u hap rrugë privatizimeve edhe për banesa që kanë probleme me dokumentacionin e pronësisë. Bashkitë do të mund të nisin procedurat edhe kur mungon informacioni mbi titullin e pronësisë, ndërsa ASHK-ja do të duhet të përditësojë statusin juridik të pasurisë si “pronë shtet”, në mënyrë që më pas ajo të kalojë për privatizim. Ky ndryshim synon të zhbllokojë qindra raste të mbetura pezull për shkak të mungesës së dokumenteve të pronësisë.

Lehtësim ka edhe për dokumentet që duhet të dorëzojnë qytetarët. Përveç kontratës së qirasë apo akteve të dorëzimit, tani do të pranohen edhe dokumente të tjera provuese, si libreza e ujit, libreza e energjisë elektrike ose vërtetim banimi nga njësia administrative apo lagjja.

Nga ana tjetër, vendimi shton edhe kosto të reja për përfituesit. Për banesat që privatizohen nga Enti Kombëtar i Banesave, qytetarët do të paguajnë edhe 4% të vlerës së privatizimit si shpenzim operacional për EKB-në.

Po ashtu, përfituesit do të duhet të paguajnë paraprakisht jo vetëm shpenzimet administrative, por edhe ato operacionale, përpara nënshkrimit të kontratës.

Ndryshimet parashikojnë edhe një mekanizëm për familjet që duhet të dorëzojnë një banesë të përfituar më parë nga shteti për të privatizuar një tjetër. Në këto raste do të bëhet vlerësimi i të dy banesave, por nëse banesa e re ka vlerë më të ulët se ajo që dorëzohet, shteti nuk do të ketë detyrim financiar ndaj qytetarit për diferencën.

Qeveria ka ndryshuar edhe afatin e privatizimit. Tani përfituesit kanë deri në dy vjet kohë për të lidhur kontratën nga momenti kur subjekti shtetëror pajiset me certifikatën e pronësisë. Për banesat që e kanë tashmë certifikatën, afati nis me hyrjen në fuqi të vendimit të ri.

Ndryshimet ligjore synojnë të përshpejtojnë mbylljen e dosjeve të vjetra të privatizimit, të legalizojnë situata të pambyllura prej dekadash dhe të lehtësojnë barrën financiare për familjet që kanë sipërfaqe mbi normë. Megjithatë, tarifa e re 4% dhe detyrimi për pagesa paraprake mund të rrisin kostot për një pjesë të qytetarëve që presin të marrin pronësinë e banesës. /ekofin.al