Ballina Kulturë Çfarë është rastafarianizmi

Çfarë është rastafarianizmi

34
0

I lindur nga përhapja e etiopianizmit dhe pan-afrikanizmit, rstafarianizmi zuri rrënjë në Xhamajkë pas kurorëzimit të perandorit etiopian Haile Selassie I në vitin 1930. Një lëvizje shpirtërore e bazuar në besimin se Selassie ishte hyjnor, ndjekësit e saj u mblodhën rreth predikuesve si Leonard Howell, i cili themeloi komunitetin e parë të rëndësishëm rastafarian në vitin 1940. Degë të tjera u shfaqën në vitet 1950 dhe, brenda dy dekadash, lëvizja fitoi vëmendje botërore falë muzikës së rastafarianit të përkushtuar Bob Marley. Edhe pse vdekjet e Selassie-t në vitin 1975 dhe Marley-it në vitin 1981 ia morën figurat më me ndikim, rastafarianizmi vazhdon të ekzistojë përmes ndjekësve në Shtetet e Bashkuara, Angli, Afrikë dhe Karaibe.

Sfondi i rastafarianizmit

Rrënjët e rastafarianizmit mund të gjurmohen deri në shekullin e 18-të, kur etiopianizmi dhe lëvizje të tjera që theksonin një Afrikë të idealizuar filluan të përhapeshin mes skllevërve me ngjyrë në Amerikë. Për ata që ishin kthyer në krishterim, Bibla ofronte shpresë përmes vargjeve si Psalmi 68:31, që parashikonte se “Princat do të dalin nga Egjipti dhe Etiopia së shpejti do t’i shtrijë duart drejt Zotit”.

Kjo frymë u forcua nga ngritja e lëvizjes moderne pan-afrikane në fund të shekullit të 19-të dhe sidomos nga mësimet e Marcus Garvey-it, i lindur në Xhamajkë, i cili thuhet se u tha ndjekësve të tij: “Shikoni drejt Afrikës ku do të kurorëzohet një mbret me ngjyrë; ai do të jetë Shpëtimtari.” Gjithashtu, vitet 1920 sollën tekste me ndikim para-rastafariane si “The Holy Piby” dhe “The Royal Parchment Scroll of Black Supremacy to Jamaica”.

Haile Selassie dhe ngritja e rastafarianizmit

Me 2 nëntor 1930, Ras Tafari Makonnen u kurorëzua si Perandori Haile Selassie I i Etiopisë. I besuar si pasardhës i mretit Solomon dhe mbretëreshës së Shebës, Selassie mori titujt Mbret i Mbretërve, Zot i Zotërve dhe Luani Fitimtar i Fisit të Judës. Për disa, kjo përmbushte profecinë biblike të një mbreti me ngjyrë, të theksuar nga Garvey.

ImagePredikuesit xhamajkanë filluan të promovonin autoritetin sundues të Selassie-t mbi mbretin George V (Xhamajka ishte atëherë koloni britanike) dhe deri në mesin e viteve 1930, perandori etiopian shihej nga ndjekësit si mishërimi i gjallë i Zotit. Edhe pse nuk u krijua një kishë qendrore formale, grupet e para të rastafarianizmit u bashkuan përmes besimit në një prejardhje që lidhej me izraelitët e lashtë, epërsinë e njerëzve me ngjyrë dhe kthimin e diasporës nga toka shtypëse e “Babilonisë” drejt Afrikës. Lëvizja e tyre përfshinte ndikime të ndryshme, mes tyre udhëzimet e Dhiatës së Vjetër për shmangien e ushqimeve të caktuara dhe besimin lokal në fuqitë shpirtërore të marijuanës.

Predikues si Robert Hinds, Joseph Hibbert dhe Archibald Dunkley u bënë figura të njohura gjatë asaj dekade, por për shumë studiues figura më e rëndësishme e rastafarianizmit të hershëm ishte Leonard Howell. Ish-anëtar i Shoqatës Universale për Përmirësimin e Zezakëve të Marcus Garvey-t, Howell fitoi shumë ndjekës pasi u kthye në Xhamajkë në vitin 1932 pas udhëtimeve të shumta dhe paraqiti parimet e lëvizjes së re me botimin e “The Promise Key” rreth vitit 1935.

I konsideruar figurë e rrezikshme dhe subversive nga qeveria xhamajkane, Howell u arrestua disa herë dhe ndjekësit e tij u përballën me përndjekje. Megjithatë, ai themeloi Shoqatën Etiopiane të Shpëtimit (ESS) në vitin 1939 dhe një vit më vonë krijoi një komunë Rasta të njohur si Pinnacle.

E vendosur në malet e Saint Catherine, Pinnacle u bë një komunitet autonom për mijëra njerëz, të cilët kultivonin marijuanë për ceremonitë shpirtërore dhe për mbijetesën ekonomike. Por varësia nga kjo bimë e paligjshme u dha autoriteteve një arsye për të goditur komunitetin dhe banorët e Pinnacle përjetuan një seri bastisjesh. Në maj 1954, policia arrestoi më shumë se 100 banorë dhe shkatërroi rreth 3 ton marijuanë, duke e shuar praktikisht komunën.

Zhvillimet e reja

Në fund të viteve 1940, një version radikal i rastafarianizmit, i njohur si Youth Black Faith, doli nga lagjet e varfra të kryeqytetit xhamajkan Kingston. Pararendëse e degës së sotme Nyahbinghi Mansion, Youth Black Faith u bë e njohur për qëndrimin agresiv kundër autoriteteve. Ata gjithashtu sollën disa nga tiparet që më vonë u lidhën ngushtë me rastafarianët, përfshirë rritjen e flokëve në rasta dhe dialektin e tyre të veçantë.

Megjithëse thuhet se ai e refuzoi përshkrimin rastafarian të tij si hyjni, perandori Selassie në vitin 1948 duket se e mbështeti çështjen e tyre duke dhuruar 500 hektarë tokë për krijimin e një komuniteti etiopian të quajtur Shashamane. Dhurimi i tokës, i konfirmuar në vitin 1955, u dha xhamajkanëve dhe njerëzve të tjerë me ngjyrë mundësinë për të realizuar shpresën e kahershme për t’u kthyer në atdhe.

Gjatë dy dekadave të ardhshme, degë të tjera të rastafarianizmit fituan ndjekës të përkushtuar. Në vitin 1958, princ Emanuel Charles Edwards krijoi Kongresin Ndërkombëtar Etiopian, ose Bobo Ashanti, i cili predikonte ndarjen nga shoqëria dhe rregulla të rrepta për gjininë dhe ushqimin. Në vitin 1968, Dymbëdhjetë Fiset e Izraelit u themeluan nga Vernon Carrington, i njohur edhe si Profeti Gad, i cili mbështeste leximin e përditshëm të Biblës dhe theksonte prejardhjen e grupit.

Pranimi në Xhamajkë

Edhe pse një kapitull i ri në historinë e Xhamajkës nisi me pavarësinë formale nga Anglia në vitin 1962, qëndrimet negative dhe shtypja qeveritare ndaj rastafarianëve vazhduan. Incidenti më famëkeq ndodhi në prill 1963, në atë që u bë e njohur si “E Premtja e Keqe”, kur policia arrestoi dhe rrahu rreth 150 rastafarianë të pafajshëm si reagim ndaj një shpërthimi të dhunshëm në një pikë karburanti.

Vizita e perandorit Selassie në prill 1966 duket se përmirësoi perceptimin e jobesimtarëve ndaj lëvizjes, megjithëse vazhduan të kishte episode të shëmtuara, si përfshirja e rastafarianëve në trazirat e vitit 1968 pas ndalimit të profesorit dhe aktivistit Walter Rodney. Në fillim të viteve 1970 ishte e qartë se lëvizja ishte rrënjosur fort te rinia e Xhamajkës. Kjo u theksua nga fushata e suksesshme presidenciale e vitit 1972 e liderit të Partisë Kombëtare Popullore, Michael Manley, i cili mbante një “shkop korrigjimi” të dhuruar nga Perandori Selassie dhe përdorte dialektin rasta në tubime.

Muzika, Bob Marley dhe përhapja globale

Ndërsa praktikat rastafariane u përhapën me emigrimin e xhamajkanëve drejt Anglisë, Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara nga vitet 1950 deri në vitet 1970, rritja e saj globale u ndihmua nga ndikimi i ndjekësve në muzikën popullore. Një nga figurat e para në këtë fushë ishte Count Ossie, i cili filloi të binte daulle në ceremonitë shpirtërore Nyahbinghi dhe ndihmoi në zhvillimin e stilit që më vonë u njoh si ska.

Më pas, lëvizja gjeti ambasadorin e saj më të rëndësishëm te Bob Marley. I kthyer në besimin rastafari dhe themelues i muzikës rege, Marley i shprehte hapur bindjet e tij në këngë dhe fitoi famë të madhe në vitet 1970 përmes temave universale si vëllazëria, shtypja dhe shpëtimi. Marley bëri turne në mbarë botën, duke çuar muzikën e tij në Europë, Afrikë dhe SHBA, ndërsa u bë simboli kryesor i kauzës rastafariane.

Ndërkohë, popullariteti në rritje i rastafarianizmit mes njerëzve të racave dhe kulturave të ndryshme solli ndryshime në disa nga rregullat e tij më të rrepta. Libri i vitit 1970 “Dread: the Rastafarians of Jamaica”, nga prifti katolik dhe punonjësi social Joseph Owens, nxori në pah disa nga sfidat me të cilat përballej lëvizja, ndërsa disa degë filluan ta zbusnin theksin mbi epërsinë e njerëzve me ngjyrë në favor të një mesazhi barazie.

Rastafarianizmi modern

Një pikë kthese për rastafarianizmin erdhi në vitin 1975, kur perandori Selassie vdiq dhe ndjekësit e tij u detyruan të përballeshin me kundërshtinë e idesë së një hyjnie të gjallë që mund të vdiste. Në vitin 1981, lëvizja humbi figurën e saj të dytë më të rëndësishme me vdekjen e Marley-t nga kanceri.

Gjithmonë një besim dhe kulturë e decentralizuar, rastafari u përpoq të krijonte një element bashkues përmes një serie konferencash ndërkombëtare në vitet 1980 dhe 1990. Rryma më të vogla, si African Unity, Covenant Rastafari dhe Kisha Selasiane, u shfaqën rreth fillimit të mijëvjeçarit të ri, periudhë që solli edhe vdekjen e liderëve afatgjatë princ Emanuel Charles Edwards (1994) dhe Profetit Gad (2005).

Në vitin 2012 vlerësohej se kishte rreth 1 milion Rastafarianë në të gjithë botën. Traditat e tyre vazhdojnë në komunitete në SHBA, Angli, Afrikë, Azi dhe Xhamajkë, ku qeveria ka përvetësuar një pjesë të madhe të simbolikës së tyre përmes përpjekjeve për të promovuar turizmin. Në përpjekje për të korrigjuar padrejtësitë e së kaluarës, qeveria xhamajkane e dekriminalizoi marijuanën në vitin 2015 dhe në vitin 2017 kryeministri Andrew Holness u kërkoi zyrtarisht falje rastafarianëve për ngjarjen e Coral Gardens.