Ballina Sport Kaos me kalendarin, derbi Roma-Lazio bëhet “mollë sherri” mes Lega-s dhe Prefekturës...

Kaos me kalendarin, derbi Roma-Lazio bëhet “mollë sherri” mes Lega-s dhe Prefekturës së Romës

61
0

Tension dhe polemika në futbollin italian për derbin Roma-Lazio derby. Lega e Serie A është gati të ndërmarrë hapa ligjorë urgjentë nëse nuk ndryshohet vendimi për zhvillimin e ndeshjes të hënën në mbrëmje, në orën 20:45.

Përplasja ka lindur pas ndërhyrjes së Prefekturës së Romës, e cila e konsideron të rrezikshme mbivendosjen e derbit me finalet e turneut të tenisit Internazionali d’Italia në Foro Italico, ku pritet edhe prania e presidentit italian Sergio Mattarella. Për autoritetet, angazhimi i forcave të sigurisë në dy evente kaq të mëdha në të njëjtën ditë do të ishte tepër kompleks, sidomos duke pasur parasysh historinë e tensioneve mes tifozëve të Romës dhe Lazios.

Nga ana tjetër, Lega Serie A kërkon të mbrojë autonominë e saj në përcaktimin e kalendarit të kampionatit. Një vendim i shpejtë është i domosdoshëm edhe për klubet që luftojnë për objektivat europiane, si  Napoli, Juventus, Milan dhe Como, të cilat presin të mësojnë datat definitive të ndeshjeve të tyre.

Në orët e ardhshme pritet fjala përfundimtare mbi këtë çështje, ndërsa aktualisht skenari më i mundshëm mbetet zhvillimi i derbit Roma-Lazio të hënën në mbrëmje. Nëse Lega do të ankimojë vendimin e Prefekturës së Romës, atëherë vendimi i gjykatës pritet të merret brenda 24 orësh.