Ballina Sport Tenis/ 31 fitore radhazi, Sinner i pandalshëm, italiani barazon rekordin e Djokoviç

Tenis/ 31 fitore radhazi, Sinner i pandalshëm, italiani barazon rekordin e Djokoviç

53
0

Vazhdon pa u ndalur rrugëtimi i Jannik Sinner në Internazionali d’Italia 2026. Numri 1 i botës konfirmoi edhe një herë formën e jashtëzakonshme, duke fituar derbin italian ndaj Andrea Pellegrino me rezultatin e pastër 6-2, 6-3 dhe duke siguruar kualifikimin për në çerekfinale të turneut të Romës.

Në atmosferën elektrizuese të Campo Centrale në Foro Italico, Sinner dominoi që në fillim sfidën ndaj surprizës së këtij edicioni. Pellegrino, në eksperiencën e tij të parë në këtë fazë të një Masters 1000, provoi të rezistonte, por diferenca në ritëm dhe cilësi ishte e dukshme.

Seti i parë u kontrollua plotësisht nga kampioni italian, që i mori dy herë shërbimin rivalit dhe e mbylli 6-2. Në setin e dytë, Pellegrino reagoi dhe ndeshja u bë më e balancuar, por në momentin vendimtar Sinner realizoi break-un në game-in e shtatë, duke marrë kontrollin definitiv të sfidës dhe duke vulosur fitoren me 6-3.

Me këtë sukses, Sinner arrin në 31 fitore radhazi në turnetë Masters 1000, duke barazuar një rekord historik të Novak Djokovic. Një tjetër tregues i dominimit absolut të italianit në arenën ndërkombëtare.

Tashmë vëmendja zhvendoset te çerekfinalet, ku Sinner do të përballet me Andrey Rublev, që siguroi kualifikimin pas fitores në tre sete ndaj Nikoloz Basilashvili. Sfida është programuar për të enjten dhe pritet me shumë interes nga tifozët italianë.