Ballina Politika Rama në Fier me Ballukun, u përgjigjet protestuesve: Shqetësimi të jenë flamingot,...

Rama në Fier me Ballukun, u përgjigjet protestuesve: Shqetësimi të jenë flamingot, jo qeveria

76
0

Protestës së dhjetë radhazi poshtë zyrës së tij, me kërkesa që fokusohen në qeverisjen, korrupsionin dhe ndryshimin e elitës politike, kryeministri Edi Rama iu përgjigj nga Fieri, gjatë një takimi të organizuar nga drejtuesja politike Belinda Balluku me rastin e 35-vjetorit të degës së PS në këtë qytet.

Kryeministri deklaroi sërish se nuk i ka pritur mirë thirrjet për dorëheqje, duke theksuar se, sipas tij, mënyra e protestës duhet të fokusohet te çështjet e “Sazanit, Zvërnecit dhe biodiversitetit, përfshirë flamingot”, dhe jo te largimi i qeverisë.

“Po qe se ajo protestë është shqetësim për Sazanin, Zvërnecin, biodiversitetin, flamingot, minimumi është të nxjerrësh një grup njerëzish dhe të thuash: uluni me këta njerëz, këta janë ekspertë, tregoni nga A në Zh çfarë po ndodh dhe çfarë ka ndërmend të bëjë qeveria. Dhe të dëgjosh. Nuk mund të vish dhe të përdorësh teknikën ‘nuk ka negociata, largohu’. Nëse je në protestë që të mos largohen flamingot, nuk mund të kërkosh të largohet qeveria”, u shpreh ai.

Sipas tij, “t’i kërkosh hesap në këtë formë një shumice qeverisëse është një guxim shumë i madh, guximi i atij që nuk ka turp”.

Ai përcolli gjithashtu një mesazh për protestuesit, duke theksuar se jo çdo tubim përfaqëson shumicën.

“Kur vjen dita, atë ditë të heshtjes zgjedhore, të gjithë ata që kanë bërë rrokullisjen e kokës së popullit katër vite, qepin gojën, shkon populli dhe voton. Tani si është kjo, mblidhemi ne këtu, ne jemi më shumë se ata atje… çfarë do të thotë kjo?”, tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe te ndikimi i blogerëve në rrjetet sociale, duke i akuzuar se shpesh publikojnë deklarata të pavërteta për vendin në kërkim të “likes” dhe “followers”.

Ai gjithashtu kishte me vete një listë me komente të qytetarëve në rrjetet sociale, ndaj të cilave iu përgjigj publikisht.

Në fund, Rama ritheksoi qëndrimin e tij për projektin e investimeve në Zvërnec, duke deklaruar se për këtë projekt po punojnë ekspertët më të mirë ndërkombëtarë në fushat përkatëse dhe në vlerësimin e ndikimit në mjedis.