Studiuesit në MIT kanë sugjeruar se farat e orizit mund të “dëgjojnë” tingullin e shiut. Sipas studimit, kjo është prova e parë e drejtpërdrejtë që farat dhe filizat e bimëve mund të ndiejnë tingujt në natyrë. Megjithatë, efektet nuk janë aq të pazakonta sa mund të duken.
Ideja për t’u vënë muzikë bimëve mund të tingëllojë e çuditshme, por studime të mëparshme kanë treguar se tingulli mund të ndikojë në rritjen e tyre. Një studim i vitit 2024 zbuloi se bok choi rritej më mirë me muzikë klasike, ndërsa muzika rok ndikonte negativisht. Edhe bimë të tjera reagojnë ndaj tingujve. Disa lule përdorin tingullin e insekteve për të vendosur kur të lëshojnë polenin, ndërsa bimët e duhanit dhe arabidopsisprodhojnë më shumë toksina kur dëgjojnë vemje që hanë bimë pranë tyre.
Në studimin e ri, kërkuesit analizuan tingullin e pikave të shiut që bien në pellgje të cekëta, të ngjashme me fushat ku mbillet orizi. Ata zbuluan se tingulli i shiut të fortë rriti mbirjen e farave me më shumë se 30%, ndërsa shiu i lehtë kishte pak efekt.
Shkencëtarët besojnë se bimët mund të ndiejnë tingujt përmes strukturave të quajtura statolite, të mbushura me niseshte. Këto struktura reagojnë ndaj dridhjeve dhe ndihmojnë bimën të kuptojë drejtimin e gravitetit. Modelet kompjuterike treguan se tingulli i shiut i bënte statolitet të lëviznin, duke nxitur procesin e mbirjes.
Edhe pse shkencëtarët pranojnë se bimët reagojnë ndaj tingujve, mbetet debat nëse ky mund të quhet vërtet “dëgjim”. Bimët nuk kanë tru apo sistem nervor si kafshët, por ato përdorin sinjale elektrike për të reaguar ndaj mjedisit. Për këtë arsye, disa studiues mendojnë se bimët mund të kenë një formë të thjeshtë ndjeshmërie ndaj botës përreth.







