Policia e Shtetit dhe forcat RENEA, kanë “zbarkuar” në orët e para të këtij mëngjesi të premteje në Mirditë, pas një sinjalizimi se në Shqipëri mund të ketë hyrë Elson Reçi, një prej njerëzve më të shumëkërkuar nga SPAK.
Por, pas kërkimit të kryer në banesën e tij dhe në disa lokacione të tjera, operacioni rezultoi pa sukses, pasi nuk u mund të gjendej ndonjë gjurmë e të shumëkërkuarit. Më tej, pas verifikimeve, u mësua se në Shqipëri në fakt kishte hyrë vëllai i Elson Reçit.
Kujtojmë se Elson Reçi, është nipi i Kastriot Reçit që u ekzekutua me snajper në Rrëshen. Ai akuzohet nga SPAK se siguroi kushtet dhe mjetet materiale për të kryer vrasjen e Preng Gjinit. Ndërsa ky i fundit njihet si kundërshtar i tyre, dhe varësisht faktit që në makinën e tij shpërtheu një sasi e konsiderueshme tritoli Gjini mundi të mbijetojë.
GJKKO në 15 Maj të 2024-ës, i ka caktuar Elson Reçit, masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “vrasje për gjakmarrje” e mbetur në tentativë, “sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “kultivimi i bimëve narkotike”, vepra këto të kryera në bashkëpunim brenda “grupit të strukturuar kriminal”.







