Në Rrogozhinë, rreth 45 familje vijojnë të jetojnë pa banesa, shtatë vite pas tërmetit që dëmtoi shtëpitë e tyre, pavarësisht deklarimeve për fonde dhe rindërtim nga autoritetet.
Sipas denoncimeve të banorëve, procesi i rindërtimit nuk është finalizuar dhe shumë prej familjeve mbeten ende në kushte të vështira, pa strehim të qëndrueshëm dhe pa mbështetje të mjaftueshme shtetërore.
Ata shprehen se bonuset e qirasë janë ndërprerë prej kohësh dhe nuk kanë marrë alternativa të tjera strehimi.
Një banore 80-vjeçare, sipas familjarëve, prej vitesh jeton në kushte të vështira, duke pritur për përfitimin e fondit të miratuar për rindërtim, i cili sipas tyre nuk është vënë ende në dispozicion.
Banorët pretendojnë se pavarësisht vendimeve dhe fondeve të deklaruara, zbatimi në terren nuk ka ndodhur.
Një tjetër familje në zonën e Sinaballës thotë se për rindërtimin e banesës së saj është përballur me vonesa të gjata administrative, duke u detyruar të kalojë nga një institucion në tjetrin për të marrë lejet e nevojshme.
Banorët shprehen se prej shtatë vitesh situata e tyre është mbajtur pezull mes institucioneve të pushtetit qendror dhe atij vendor, ndërsa zgjidhja konkrete ende mungon.
Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente për përfundimin e procesit të rindërtimit dhe garantimin e strehimit të sigurt për familjet e mbetura pa banesë.







