Në fotot e publikuara nga ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, nga sesioni i 79-të i Asamblesë Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë, gjithçka duket e rregullt, elegante dhe europiane. Takime ndërkombëtare, biseda me zyrtarë të huaj, korridore luksoze, buzëqeshje diplomatike dhe postime të kuruara me kujdes për rrjetet sociale.-shkruan VNA.
Një Shqipëri që në fotografi duket sikur ka hyrë prej kohësh në standardet më të avancuara të shëndetësisë europiane.
Por mjafton të dalësh nga Instagrami dhe të hysh në një farmaci shqiptare për t’u kthyer menjëherë në realitet.
Aty qytetarët vazhdojnë të kërkojnë ilaçe që mungojnë prej javësh, barna që zëvendësohen vazhdimisht, medikamente që shpesh gjenden vetëm përmes njohjeve ose përmes dikujt që vjen nga jashtë. Në spitale, familjarët blejnë ende vetë materiale bazë dhe pacientët kronikë ankohen prej muajsh për mungesa trajtimesh.
Prej vitesh shqiptarët dëgjojnë për reforma, dixhitalizim, modernizim dhe investime në shëndetësi. Por ndërsa ministrat fotografohen në konferenca ndërkombëtare, qytetari i zakonshëm vazhdon të endet me recetën në dorë nga një farmaci në tjetrën.
Dhe ndoshta ironia më e madhe është kjo: po ta dinin që ministrja do të shkonte në Gjenevë, shumë pacientë ndoshta nuk do t’i kërkonin foto apo deklarata. Do t’i jepnin një listë ilaçesh për t’ua sjellë me valixhe në kthim.
Sepse në Shqipëri sistemi shëndetësor funksionon shumë më mirë në fotografi sesa në realitet.
Në Gjenevë flitet për të ardhmen e shëndetësisë globale.
Në Shqipëri, shumë qytetarë ende përpiqen të sigurojnë ilaçet e muajit.







