Ballina Kuriozitete Ankand rekord në Paris/ Segment origjinal i Kullës Eiffel shkon për qindra...

Ankand rekord në Paris/ Segment origjinal i Kullës Eiffel shkon për qindra mijëra euro

51
0

Një pjesë origjinale e shkallëve të Kullës Eiffel në Paris është shitur në ankand për 450 mijë e 160 euro, sipas Shtëpisë Franceze të Ankandeve Artcurial.

Segmenti i shkallës ka një lartësi prej 2.75 metrash dhe vjen nga shkalla spirale historike e “Zonjës së Hekurt”, e ndërtuar në vitin 1889. Dikur ajo lidhte katin e dytë me të tretin e kullës së famshme.

Pjesa ishte ruajtur për më shumë se 40 vite në një koleksion privat dhe fillimisht ishte vlerësuar shumë më ulët, mes 120 mijë dhe 150 mijë eurove, por në ankand u shit për një shumë shumë më të lartë.

Nuk është hera e parë që pjesë të Kullës Eiffel dalin në shitje. Në vitin 2016 një tjetër segment u shit për mbi 500 mijë euro, ndërsa rekordi i mëparshëm është regjistruar në vitin 2008, kur një pjesë e shkallëve u ble për mbi 550 mijë euro.

Shkalla origjinale u çmontua në vitin 1983 gjatë punimeve për vendosjen e një ashensori, duke u ndarë në disa pjesë. Vetëm pak prej tyre kanë mbetur në Francë.

Kulla Eiffel, me lartësi 324 metra, është një nga simbolet më të njohura të Francës dhe vizitohet nga miliona turistë çdo vit. Ajo u ndërtua nga inxhinieri Gustave Eiffel për Ekspozitën Botërore të vitit 1889 në Paris.