Ballina Politika “Më skualifikuan sepse patën frikë nga unë”/ Mereme Sela tregon pse vendosi...

“Më skualifikuan sepse patën frikë nga unë”/ Mereme Sela tregon pse vendosi të kandidonte për kreun e PD-së

46
0

Doktoresha Mereme Sela, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, foli për kandidimin e saj për kryetare të Partisë Demokratike dhe arsyet pse, sipas saj, kandidatura u refuzua vetëm 24 orë pasi dorëzoi dokumentet.

Sela deklaroi se vendimi për ta skualifikuar lidhej me frikën që drejtuesit e partisë kishin ndaj kandidimit të saj.

“Më skualifikuan sepse patën frikë nga unë”, u shpreh ajo gjatë intervistës.

Ajo tha se kishte vendosur të kandidonte pas eksperiencës së saj në primaret e PD-së në Durrës në vitin 2025, ku sipas saj procesi kishte probleme dhe rezultatet ishin të paracaktuara.

“Kam qenë pjesë e primareve në Durrës. Pashë që njerëzit nuk dinin kush ishte anëtar. Edhe për qarkun ishte problematik. U bë procesi i primareve. Ata që më njohin, numri i votave ishte i lartë, por kur u numëruan ishin 43”, tha Sela.

E pyetur nga Ylli Rakipi nëse pretendonte se kishte marrë më shumë vota, ajo u përgjigj:

“Kam marrë diku te 247, por ishin të paracaktuar. Nuk jam për luftë. Kam ndenjur deri në fund, bëra ankesat e mia, por nuk më thirri njeri”.

Gjatë intervistës, Sela deklaroi gjithashtu se sipas nenit 46 të statutit të PD-së, nuk lejohet kandidimi i Sali Berishës për kryetar partie.

“Sipas nenit 46 të statutit të PD, nuk lejohet kandidimi i zotit Berisha”, tha ajo.

Mjekja epidemiologe tregoi se në PD është anëtare prej vitit 2016 dhe se kandidimin e kishte mbështetur te disa prioritete, mes tyre arsimi, shëndetësia, familja, fëmijët dhe prona. Ajo mohoi gjithashtu zërat se kandidimi i saj ishte nxitur nga figura të tjera politike.

“Kam dëgjuar shumë, e ka futur Rama, Berisha, Noka…”, tha ajo.

Sela foli edhe për eksperiencën e saj akademike, duke thënë se kishte fituar doktoraturën në Universitetin e Shkencave Sociale, por sipas saj nuk ishte lejuar të regjistrohej, ndërsa një tjetër mjeke, që ajo e përshkroi si “vajzë e një qeveritari”, e kishte marrë vendin.Në fund të intervistës, ajo tha se Sali Berishën e kishte takuar vetëm një herë në Fushë Krujë, në lidhje me një konflikt për pronën e familjes së saj.