Ballina Politika Boçi në Dibër: Reforma e vitit 2014 ishte partiake, jo administrative. Shpopullimi,...

Boçi në Dibër: Reforma e vitit 2014 ishte partiake, jo administrative. Shpopullimi, prova e dështimit

51
0

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale zhvilloi dëgjesën e radhës në Dibër, ku morën pjesë qytetarë, përfaqësues të pushtetit vendor dhe aktorë të shoqërisë civile.

Në fjalën e tij hapëse, bashkëkryetari i Komisionit dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, deklaroi se reforma territoriale e vitit 2014 ka dështuar dhe se një nga provat më të qarta të këtij dështimi është shpopullimi masiv i zonave rurale.

Boçi theksoi se reforma territoriale nuk është pronë e qeverisë, por e qytetarëve, duke argumentuar se një reformë pa konsultim publik krijon probleme që në themel.

“Nëse realizojmë një reformë pa konsultuar qytetarin, atëherë kemi një reformë pa taban, si ajo e vitit 2014”, u shpreh ai.

Sipas Boçit, dëgjesat publike janë instrumente demokratike të domosdoshme për të kuptuar nëse reforma e vitit 2014 ka përmirësuar jetën e qytetarëve, përfaqësimin, shërbimet dhe zhvillimin ekonomik në territore të ndryshme.

Ai ngriti pyetje mbi cilësinë e shërbimeve në Dibër dhe mbi diferencat mes zonave urbane dhe rurale, duke theksuar se Shqipëria ka një territor kompleks dhe problematika të ndryshme nga një qark në tjetrin.

Boçi deklaroi se reforma e vitit 2014 nuk arriti të sjellë autonominë fiskale dhe kompetencat e premtuara për pushtetin vendor, ndërsa prodhoi thellim të pabarazive mes bashkive.

“Kush ishte bashki e varfër u bë edhe më e varfër”, tha ai, duke shtuar se kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në emigracionin dhe boshatisjen e zonave rurale.

Në fjalën e tij, Boçi e cilësoi reformën e vitit 2014 si një “reformë partiake” dhe jo administrative, duke sjellë si shembull diferencën mes qarqeve të Dibrës dhe Gjirokastrës.

“Dibra ka rreth 150 mijë banorë dhe vetëm 4 bashki, ndërsa Gjirokastra me më pak banorë ka 7 bashki. Kjo tregon se reforma nuk ishte administrative-territoriale, por politike”, deklaroi ai.

Boçi kujtoi gjithashtu se projekti fillestar i reformës parashikonte 47 bashki, ndërsa më pas numri u rrit në 61 për arsye politike.

Ai mbrojti nevojën për rritje të kompetencave dhe autonomisë financiare të pushtetit vendor, forcimin e qarqeve dhe bashkëpunimin ndërbashkiak, në mënyrë që bashkitë më të forta të ndihmojnë ato më të dobëta.

Në fund, Boçi solli si shembull Kroacinë, e cila sipas tij ka 556 komuna dhe përsëri përfiton miliarda euro nga fondet europiane, duke argumentuar se madhësia e bashkisë nuk është kusht për zhvillim apo përfitim fondesh.

Fjala e plotë e Luçiano Boçi në dëgjesën e Komisionit të Reformës Territoriale në Dibër: 

Të dashur qytetarë të qarkut Dibër,

Mirëse ju gjejmë.

Edhe për ne është kënaqësi që zhvillojmë këtë dëgjesë për një temë kaq të rëndësishme si Reforma Territoriale.

Dua të fokusohem fillimisht tek ajo që sot po konsiderohet si shumë e rëndësishme në raport me proceset europiane dhe konsensusin politik.

E vërteta është që Bashkimi Europian kërkon konsensus politik. Kërkon që proceset e rëndësishme të mbështeten nga të dyja palët politike. Nuk kërkon një mazhorancë që imponon variantin e saj vetëm sepse ka votat dhe një opozitë që mbetet jashtë sepse nuk i ka ato.

Pra, BE kërkon konsensus dhe kërkon që të dëgjohen qytetarët.

Ne si Parti Demokratike e kemi kërkuar këtë gjë dhe e konsiderojmë të domosdoshme.

Ne besojmë se arkitektura e shtetit në territor është Reforma Territoriale dhe ajo nuk është pronë e qeverisë, por pronë e qytetarëve.

Nëse realizojmë një reformë pa konsultuar qytetarët, atëherë kemi një reformë pa taban, si ajo e vitit 2014.

Difekti kryesor i reformës së vitit 2014 ishte pikërisht moskonsiderimi i mendimit të qytetarëve. Reforma nisi nga harta dhe përfundoi tek kompetencat dhe qytetarët, duke krijuar probleme serioze.

Së dyti, mendoj që dëgjesat janë institucione shumë demokratike dhe shumë pozitive.

Sot kemi mundësi të marrim përgjigje për objektivat e reformës së vitit 2014.

A u përmirësua jeta e qytetarit në Dibër?

A është i përfaqësuar qytetari në këshillat bashkiakë?

A i merr qytetari shërbimet?

A janë të njëjta shërbimet në të gjithë territorin?

A pati reforma ndikim në zhvillimin ekonomik në gjithë territorin apo krijoi diskriminim zhvillimor?

Këto përgjigje i japin qytetarët.

Dhe siç thoni ju në Dibër: “Punët e mira duken në mexhlis”.

Dëgjesat janë të rëndësishme për një arsye shumë të thjeshtë: Shqipëria është një vend me territor të larmishëm, me reliev të thyer, me probleme infrastrukturore, me vështirësi ekonomike dhe me potenciale të pashfrytëzuara.

Problemet e Dibrës nuk janë të njëjta me ato të Elbasanit apo Tiranës. Prandaj na duhet të marrim mendimin e qartë të qytetarëve.

Në fund të ditës, kjo dëgjesë është edhe një test i sinqeritetit të politikës.

A ka kurajë politika të përballet me efektet dhe pasojat e vendimeve të saj?

Sot jemi në një reformë të re pas 12 vitesh dhe duket sikur jetojmë në një regjim reformash të pafundme.

Por ne nuk jemi sot këtu sepse kemi probleme administrative, sepse administrimin mund ta rregullojë qeveria.

Ne jemi këtu për shkak të shqetësimeve të qytetarëve dhe për shkak të dështimit të reformës së vitit 2014.

Qeveria premtoi autonomi fiskale dhe nuk e realizoi.

Premtoi kompetenca për pushtetin vendor dhe nuk i përmbushi.

Premtoi shërbime më të mira dhe qytetarët thonë se kjo nuk ndodhi.

Premtoi përfaqësim më të mirë, por sot kemi diskriminim mes zonave urbane dhe rurale dhe mes bashkive që kanë mbështetje financiare të ndryshme.

Kjo reformë prodhoi thellim të pabarazisë. Kush ishte bashki e varfër u bë edhe më e varfër.

Prandaj kemi sot shpopullim të zonave rurale. Dhe jo vetëm migrim të brendshëm, por emigrim jashtë Shqipërisë.

Po zbrazet “magazina furnizuese” e qendrave urbane, sepse njerëzit po largohen jashtë vendit.

Ky alarm duhet të reflektohet në punën e këtij komisioni.

Kjo reformë duhet të ndalë largimin e qytetarëve, që është gjakderdhja më e madhe e kombit.

Dibra ka rreth 150 mijë banorë dhe vetëm 4 bashki, ndërsa Gjirokastra, me më pak banorë, ka 7 bashki.

Pse ndodh kjo?

Sepse reforma e vitit 2014 nuk ishte reformë administrative-territoriale, por reformë partiake.

Ky është një sekret publik.

Fillimisht ishin parashikuar 47 bashki dhe më pas u bënë 61.

Ky është një fakt që duhet pranuar.

Vetëm duke parë të vërtetën në sy mund të ndërtojmë diçka që e korrigjon këtë situatë.

Ne jemi këtu për të bashkëpunuar, për të ndryshuar funksionet, për të rritur kompetencat dhe autonominë financiare për të gjithë qytetarët, pavarësisht ku jetojnë.

Të gjithë paguajmë taksa, në qytet apo në fshat, por jo të gjithë marrim të njëjtat shërbime.

Ne duam standarde të njëjta.

Duam bashkëpunim mes bashkive. Një bashki e fortë duhet të ndihmojë një bashki më të dobët.

Duam të forcojmë qarqet dhe t’u japim kompetenca reale, sepse kështu mund të zgjidhim problemin e shërbimeve dhe decentralizimit.

Nëse nuk ndërhyjmë, atëherë do të ndihmojmë më tej shpopullimin e vendit.

Po ashtu, nuk duhet të jemi nën trysninë që bashkia duhet patjetër të dalë “me fitim”, sepse bashkia nuk është biznes.

Shteti ka fonde, grante dhe instrumente për të ndihmuar bashkitë.

Kroacia ka 556 komuna dhe merr miliarda euro nga fondet europiane. Pra, numri i bashkive nuk është problemi kryesor.

Prandaj ne duam mendimet tuaja, sepse ato janë shumë të rëndësishme për përfundimet që do të nxjerrë ky komision.