Ballina Politika Udhëtime, hotele, blerje luksi…/ “Kushëriri” Shatku pagoi 235 mijë $ për Monika...

Udhëtime, hotele, blerje luksi…/ “Kushëriri” Shatku pagoi 235 mijë $ për Monika Kryemadhin

74
0

Nga Flamur Vezaj 

Monika Kryemadhi ka shpenzuar rreth 235 mijë dollarë brenda tre viteve me një kartë “American Express Centurion”, të hapur në emrin e saj nga biznesmeni shqiptaro-amerikan Adrian Shatku, të cilin ajo e ka cilësuar si “kushëri”, ndërkohë që sipas dosjes së SPAK të siguruar nga “MaShqip”, në të njëjtën periudhë Shatku kërkonte dhe përfitonte mbështetje nga çifti Meta-Kryemadhi për projektet e kompanisë së tij UNIFI në Shqipëri.

Nga materialet hetimore rezulton se marrëdhënia financiare mes Shatkut dhe Kryemadhit nuk kufizohej vetëm te pagesat në butikët luksozë të San Marinos, ku Monika Kryemadhi kreu blerje në “Ferreti Boutique” dhe “Maccapani”, por shtrihej edhe te një kartë tjetër prestigjioze, “American Express Centurion”, e njohur si “Black Card”, me limit mujor shpenzimesh deri në 100 mijë dollarë.

Sipas dosjes, në një nga komunikimet mes tyre, Adrian Shatku i kërkon Monika Kryemadhit kopje të pasaportës, pasi i duhej për pajisjen me kartën “Black AMEX”. Monika ia dërgon foton e pasaportës, por shfaq shqetësim nëse kjo mund t’i sillte ndonjë problem. Shatku e qetëson duke i shpjeguar se karta ishte si “Visa e zezë”, por më e fuqishme dhe më e rrallë. Më pas ai i shkruan se kishte folur dhe se karta “bëhej”, ndërsa për tre ditë do t’i dërgohej në emrin e saj.

Pas këtij komunikimi, Monika e falënderon dhe i shkruan se të nesërmen, bashkë me Piron, do të takonin Dietlofin dhe se “deri të premten do t’i kishte mbyllur të gjitha”. Sipas SPAK, ky komunikim lidhet me përpjekjet e Shatkut për projektet e kompanisë UNIFI dhe marrëdhëniet me institucionet e telekomunikacionit dhe operatorët në Shqipëri.

Në zbatim të letërporosisë nr. L 201 të vitit 2024, autoritetet ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kanë përcjellë SPAK të dhënat e siguruara nga kompania “American Express” për kartat në emër të Adrian Shatkut. Nga këto të dhëna rezulton se Shatku kishte në përdorim kartat “Amex Business Centurion” me numrat fundorë 3-31009 dhe 1-69001, si dhe “Amex Corporate Platinum” me numrat fundorë 9-97005.

Në datën 7 dhjetor 2014, sipas dokumenteve të ardhura nga SHBA, është kryer një pagesë prej 2,500 dollarësh si tarifë anëtarësimi për Monika Kryemadhin në “American Express”. Në pasqyrën e kartës “Amex Centurion” me numra fundorë 3-31009, në emër të Adrian Shatkut, rezulton edhe një kartë shtesë “Amex Centurion” me numra fundorë 3-31017, mbajtëse e së cilës ishte Monika Kryemadhi.

Karta, sipas dosjes, kishte limit mujor 100 mijë dollarë. Ajo është përdorur për herë të parë më 6 dhjetor 2014 në dyqanet “Selfridges” në Londër, ndërsa përdorimi i fundit i dokumentuar është më 19 nëntor 2017 për pagesa në hotelin “Berkeley” në Londër.

Në total, shpenzimet e kryera nga Monika Kryemadhi me kartën “American Express Centurion” me numra fundorë 3-31017, për periudhën dhjetor 2014 – nëntor 2017, kapin shumën 234,677.83 dollarë.

Sipas përshkrimit të shërbimeve në pasqyrat e kartës, pagesat janë kryer kryesisht për blerje në dyqane veshjesh në Londër, Vjenë, Las Vegas dhe Beverly Hills, për qëndrime në hotele në Londër, New York dhe Las Vegas, si dhe për bileta avioni.

Nga verifikimet në sistemin TIMS, hetuesit kanë konstatuar se në momentet kur kjo kartë është përdorur, Monika Kryemadhi ndodhej jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Dosja e SPAK lidh këto shpenzime me raportin e vazhdueshëm mes familjes Meta-Kryemadhi dhe Adrian Shatkut, i cili në të njëjtën kohë kërkonte mbështetje për kompaninë e tij UNIFI Communication INC, për shtrimin e fibrave optike dhe hyrjen në tregun shqiptar të telekomunikacionit.

Në këtë kontekst, sipas SPAK, përfitimet personale, kartat bankare, pagesat në butiqe, hotelet dhe udhëtimet dyshohet se ishin pjesë e një marrëdhënieje më të gjerë interesi, ku Shatku kërkonte favorizime institucionale, ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta ndiqnin ecurinë e procedurave administrative në favor të kompanisë së tij.

Hetuesit e kanë lidhur këtë episod edhe me bisedat e mëparshme të datës 25 shtator 2014, kur Monika Kryemadhi ndodhej në San Marino dhe kishte probleme me përdorimin e kartës “Black” në dyqanet “Ferreti Boutique” dhe “Maccapani”. Në atë rast, sipas letërporosisë së San Marinos, u konfirmua një pagesë prej 12 mijë eurosh në “Maccapani”, që përputhej me bisedat e zhvilluara në WhatsApp mes Kryemadhit dhe Shatkut.

SPAK dyshon se ky nuk ishte një raport i zakonshëm familjar, siç është paraqitur nga Monika Kryemadhi, por një marrëdhënie me elementë të qartë financiarë dhe interesash biznesi, ku biznesmeni paguante shpenzime personale të saj, ndërsa paralelisht kërkonte akses, dokumentacion dhe vendimmarrje shtetërore për projektet e UNIFI në Shqipëri./mashqip.com