Në një reagim në rrjetet e tij sociale, deputeti i PD-së, Belind Këlliçi thotë se deputetët demokratë në Komisionin e Ekonomi-Financës dhe atë të Nismave Qytetare dhe Mbikëqyrjes Institucionale kanë kërkuar transparencë të plotë për licencimin e bankës digjitale “Jet Bank”.
Ai shprehet se i është dërguar një kërkesë zyrtare Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për sqarime mbi procesin e licencimit dhe rreziqet e mundshme. Këlliçi thekson se ky proces ngre shqetësime për sigurinë kibernetike, pastrimin e parave dhe reputacionin e aksionarëve të përfshirë.
Deputeti i PD-së gjithashtu theksoi se, situata në Shqipëri i bën këto rreziqe edhe më të mëdha dhe kërkon verifikim të plotë institucional.
Ai paralajmëron se kjo është vetëm nisma e parë e opozitës për të kërkuar llogaridhënie dhe transparencë të plotë në këtë çështje.
Postimi:
Sot, deputetët e Partisë Demokratike të Komisionit Parlamentar të Ekonomi-Financës dhe atij të
Nismave Qytetare dhe Mbikqyrjes Institucionale, të shqetësuar për mungesën e transparencës si dhe fakte të tjera dëmtuese, që janë të raportuara mediatikisht, në lidhje me licencimin e të parës bankë digjitale në vend “Jet Bank”, kanë firmosur një kërkesë të përbashkët për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, duke kërkuar përgjigje shterruese, në përputhje të plotë me ligjin dhe me detyrimin për të bërë transparencë për një sektor kaq të rëndësishëm.
Liçensimi i një banke digjitale është një praktikë mjaft e re, shpesh herë problematike edhe për Bashkimin Evropian. Siguria kibernetike, reputacioni i aksionarëve dhe menaxherëve, problematika e pastrimit të parave si dhe siguria e kreditorëve, janë çështje shumë shqetësuese dhe aktuale edhe në BE.
Në Shqipëri, këto probleme janë shumë herë më të nxehta dhe shumë herë më problematike. Sepse në Shqipëri, siguria kibernetike thujase nuk ekziston, pastrimi i parave ndodh sheshit dhe faktet tregojnë që të paktën njëri prej individëve të përfshirë në këtë aferë, ka reputacion të dëmtuar rëndë dhe thellësisht kompromentues.
Sigurojmë opinionin publik se kjo kërkesë transparence është vetëm hapi i parë në përmbushje të detyrës tonë si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Hapa të tjerë ligjorë do të pasojnë, sepse zbatimi i ligjit dhe siguria financiare e shqiptarëve, është prioritet absolut për ne!







