Ballina Dossier 30 vjet më parë: Masakra zgjedhore e 26 majit 1996

30 vjet më parë: Masakra zgjedhore e 26 majit 1996

58
0

Nga Hamdi Jupe 

Si i “fitoi” Berisha 131, nga 140  deputetë gjithsej! ODHIR: “Kodi Zgjedhor u shkel në mënyrë flagrante në 32 nene.” Këshilli i Europës: “Zgjedhjet janë njollosur nga dhuna dhe parregullsitë.”

Përvoja e zgjedhjeve shumëpartiake në Shqipëri 

Deri në maj të vitit 1996 ishin zhvilluar katër herë votime demokratike shumëpartiake. Të parat ishin ato të 31 marsit të vitit 1991, të fituara nga Partia e Punës. Të dytat, të 22 marsit të vitit në vijim që u fituan  nga koalicioni opozitar me në krye Partinë Demokratike. Katër muaj më vonë, më 22 korrik,  zgjedhjet e para pluraliste për qeverisjen vendore u fituan nga Partia Socialiste. Në 6 Nëntor të vitit 1994, në Referendumin për kushtetutën, fitoi  alternativa e “JO”-së, e koalicionit opozitar, i kryesuar nga Partia Socialiste me 53 përqind të votave.

Zgjedhjet ishin konsideruar përgjithësisht të lira dhe të ndershme, që do të thoshte se Shqipëria ish – komuniste kishte hyrë në rrugën e zgjedhjeve demokratike. Të tilla pritej të ishin edhe ato për Kuvendin e ri, të planifikuara për më 26 maj, 1996. Por zgjedhjet e humbura lokale te vitit 1992 dhe Referendumi i vitit 1994, përbënin arsye për shqetësim serioz për Partinë Demoratike prej katër vitesh në pushtet.

Në të gjitha vendet e lindjes ish – komuniste, në zgjedhjet e reja po fitonin forcat e majta ish – komuniste. Kjo ndodhi së pari në Poloni më 1995, ku presidenti i vendit, ish – opozitari legjendar Leh Valesa, u mposht nga kandidati i majtë Aleksandër Kvaznjevski. E njejta gjë po dodhte edhe në vendet e tjera dhe ajo pritej të ndodhte edhe në Shqipëri. Ky ishte shqetësim shtesë për Berishën dhe Partinë Demokratike.

Ligji genocidist i “pastërtisë” së figurave

Gjashtë muaj para zgjedhjeve, mazhoranca e Partisë Demokratike, miratoi e vetme ligjin 8043, datë 30.11.1995, “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”, ose siç njihet ndryshe, “ligji i lustracionit”. Ligji u kundështua ashpër nga opozita, sepse kufizonte dhunshëm liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, konkretisht të drejtën e zgjedhjes.

Ligji kishte hapësirë shumë të gjerë kufizimesh. Organet dhe funksionet që do t’i nënshtroheshin  atij do të ishin: “… të zgjedhurit (deputetët dhe të zgjedhurit vendorë), funksionet drejtuese në ekzekutiv dhe në administratën shtetërore, … ndihmësgjyqtarë, gjyqtarë, prokurorë dhe policia gjyqësore…. drejtuesit e redaktorët në RTSH dhe ATSH; gazetarët dhe punonjësit me detyrën më të lartë në gazetat me tirazh mbi 3000 kopje; rektorët dhe drejtorët në universitete dhe shkolla të larta.”

Personi që dëshironte të përfshihej në funksionet e lartpërmenduara, duhej që, gjatë gjithë periudhës nga 28.11.1944 deri më 31.03.1991, të mos kishte qenë drejtues në strukturat politike të Partisë së Punës, i zgjedhur, drejtues në ekzekutiv ose në administratën shtetrore.

Ligji synonte të godiste drejtuesit kryesorë të opozitës socialiste, midis të cilëve nënkryetarin e partisë Servet Pëllumbi, Sekretarin e Përgjithshëm Gramoz Ruçi etj. Bashkë me kryetarin socialist Fatos Nano të burgosur politik, udhëheqja e partisë kryesore të opozitës ishte e goditur rënde nga ligji para zgjedhjeve parlamentare. Kështu po ndodhte edhe me drejtues të partive të tjera të opozitës.

Partia Socialiste dhe ajo Socialdemokrate e denoncuan ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata, e drejtuar nga zoti Rustem Gjata, me vendimin e datës 31.01.1996, më pak se katër muaj para zgjedhjeve,  rrëzoi kërkesat e dy partive opozitare. Ky vendim tensionoi së tepërmi situatën politike në prag të zgjedhjeve. Megjithatë, opozita vendosi të hyjë në to, e bindur se elektorati do të votonnte masivisht për të.

Kandidat për deputet në Sarandë

Partia Socialiste më kandidoi për deputet në zonën zgjedhore 99 që përfshinte Sarandën, Delvinën, Ksamilin dhe Konispolin. Kisha shtatë vjet që punoja në gazetën e partisë në kohët më të vështira të saj dhe ja tani vlerësimi. 23 vjet i larguar nga vendlindja, qysh kur mbarova shkollën e mesme, po kthehesha atje 41 – vjeçar. Zgjedhjet zhvilloheshin me sistemin mashoritar, të kombinuar me atë proporcional.

Listat e kandidatëve për deputetë u dërguan në “Komisionin e pastërtisë” sipas ligjit të lartpëmendur. Nuk kisha patur të bëj ndonjëherë me Sigurimin e Shtetit.  Megjithatë, frika ishte se kushedi çfarë kishin “shpikur”  “çunat” që lëviznin me “kallashnikov” në krah kudo në Dibër, ku kisha punuar 14 vjet. Për fat, dola “i pastër”.

Takimet me zgjedhësit kishin brenda tyre nostaligjinë e mallin për vendlindjen, kënaqësinë qe takoja njerëz të njohur pas shumë vitesh, por edhe trishtimin për gjendjen e rëndë ekonomike e sociale të fshatit të braktisur prej 6 vjetësh, pas rënies së komunizmit.

Berisha: “Mos e votoni kalemxhiun e “ZP”-së

Në Sarandë erdhi edhe Presidenti i Republikes Berisha për fushatë për partinë e tij. Erdhi me makinë, jo me helikopter të kohës së komunizmit, si  dy vjet më pare në Referendumin për Kushtetutën. Helikopterët kinezë i kishin sjellë humbjen në Referendum.

Nga tribuna e mitingut në qendër të Sarandës, Berisha më kishte sharë me fjalorin e tij të njohur: “Mos e votoni atë kalemxhiun e “ZP” – së.  Njihesha me të qysh në nëntor të nëntëdhjetës, kur e kisha patur në bisedë në redaksi në gazetë. Çdo muaj isha në konferencat e tij të shtypit, ku ai përpiqej të tregohej “tolerant” ndaj gazetarit të opozitës.

Shprehja denigruese (kalemxhi i ZP) përdorej prej tij bash në vendlinden time, njëlloj sikur unë të shkoja në Tropojë dhe të bëja të njejtën gjë për të atje. Por nuk ma lejonte një gjë të tillë kultura, tradita dhe respekti për  popullin e atjeshëm. Berisha e bënte.

Atmosferë terrori para zgjedhjeve

Informacionet që vinin te PS -ja në Sarandë flisnin, ndër të tjera, për dy qëndra zgjedhore të planifikuara befas në ditët e fundit në vende jashtë qytetit, ku nuk kishte fare banorë. Me to synohej “votim” fiktiv nga njerëz të PD-së dhe paraqitja e tyre si kuti të rregullta votimi në mbrëmje. Përpjekjet për t’i eleminuar ato nuk u morën parasysh nga Komisioni zonal, i drejtuar nga një militant i verbër i PD-së.

Të premten që mbaroi fushata, një ngjarje e rëndë ndodhi në qytetin e Sarandës. Forca speciale të policisë, të stacionuara në Qafë- Gjashtë, zbritën në qytet dhe filluan të hynin në mënyrë demonstrative nëpër kafanetë dhe baret e tij, atë fund maji të mbushura me njerëz që i gëzoheshin mbrëmjes në qytetin bregdetar. I detyronin ata të ngriheshin nga tavolinat, të vendoseshin me fytyrë nga muri me duar përpjetë dhe i kontrollonin për armë në trup. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë në atë qytet të qetë. Kjo i kishte lemerisur qytetarët dhe turistët e huaj. Çfarë qëllimi kishte ky akt i shemtuar? Të terrorizonte njerëzit dy ditë para zgjedhjeve. Më vonë u mësua se kjo kishte ndodhur në shumë qytete të vendit.

Dita e zgjedhjeve dhe bojkoti i opozitës

Që në orët e para të mëngjesit militantë civilë të PD – së, bashkë me drejtues të policisë, SHIK-ut, dhe me struktura të tjera të shtetit, u vunë në veprim për të manipuluar zgjedhjet. Ata kryen operacione të paligjshme, ndalime dhe arrestime pa arsye të drejtuesve politikë të opozitës dhe komisionerëve të saj në zgjedhje për të ngjallur panik. Rrugët u mbushën me trupa të armatosura me kallashnikovë dhe me maska, duke shkaktuar një situatë të rëndë psikologjike te qytetarët.

Manipulimi i zgjedhjeve ishte një ngjarje e paralajmëruar, por jo në atë formë brutale dhe ato përmasa sa po shfaqeshin atë ditë. Strukturat e PD-së me ndihmën e policisë dhe SHIK-ut, dhunuan përfaqësuesit e opozitës, ndër ta edhe drejtuesit kryesorë të partisë. Lajmet e shpeshta nga terreni për to ishin tronditëse.

Kryetari i Partisë Demokratike Tritan Shehu, në orën trembëdhjetë në mesditë, disa orë para mbylljes së qendrave të votimit, deklaroi për Agjencinë Telegrafike Shqiptare: “Partia Demokratike ka fituar me shumicë dërmuese zgjedhjet e 26 majit”. Kudo u krijua një klimë frike. Kjo bëri që shumë votues të mos shkonin të votonin. Në disa konferenca shtypi të asaj dite opozita denoncoi klimën e terrorit që shihej hapur në Tiranë dhe në gjithë vendin.  Dokumentet  kohës flasin për raste skandaloze të manipulimit të votave në forma të ndryshme.

Në këto rrethana, rreth orës gjashtëmbëdhjetë, katër orë para mbylljes së qendrave të votimit, gjashtë parti opozitare ndër të cilat:  Partia Socialiste, Partia Social Demokrate, Partia Aleanca Demokratike,  Partia e Unitetit Kombëtar etj deklaruan zyrtarisht tërheqjen e plotë nga zgjedhjet dhe mosnjohjen e rezultateve të tyre. Kandidatët e tyre për deputetë dhe të gjithë komisionerët e opozitës anembanë vendit u tërhoqën nga qendrat e votimit. Ky veprim e kapi në befasi Partinë Demokratike dhe çoi në kaos të gjithë procesin zgjedhor.

“Xhevahire” zgjedhore: Partia Demokratike “fiton” 131, nga 140 deputetë!

E ndodhur e vetme në qendrat e votimit, Partia Demokratike e konsideroi këtë si një rast të artë për të shpallur në mbrëmje “fitore plebeshitare” me 131 deputetë, nga 140 që kishte gjithsej Kuvendi. Në zgjedhjet e 22 marsit të katër viteve më parë, në kulmin e mbështjes popullore, ajo kishte fituar 92 deputetë ndërsa tani “fitonte” 39 më shumë. Partisë Socialiste ajo i kishte “dhuruar” vetëm 9 deputetë, nga 53 pëqind të votës popullore që kishte fituar ajo parti dy vjet më parë në Referendum.

Një ditë pas tyre, më 27 maj, Partia Demokratike organizoi me pompë të madhe festën e “fitores” në Sheshin “Skënderbej”. Në përshendetjen e tij përpara parlametnit të ri të mbledhur më 1 korrik, Berisha e quajti atë si parlament të dalë nga “zgjedhjet e lira e të nderdshme”.

Masakra e 28 majit në Sheshin “Skënderbej”

Gjithçka filloi në mesditën e 28 majit, rreth orës 12.00, kur liderët opozitarë të PS, PSD dhe PAD-së, dolën të protestonin në sheshin “Skënderbej” kundër manipulimit të zgjedhjeve. Policia kishte rrethuar sheshin  për të penguar protestuesit të derdheshin në të. Qindra njerëz ishin mbledhur te selia e Partisë Socialiste. Përreth saj silleshin policë të shumtë që në mëngjes, që synonin të bllokonin protestën.

Në këto rrethana, liderët e opozitës vendosën ta fillojnë protestën 15 minuta para orës 12, me qëllim që të shmangej sa të mundej policia. Drejtuesit e saj me në krye profesorin Servet Pëllumbi, dolën nga zyrat dhe u drejtuan për te Sheshi. I nisur nga gazeta për të ndjekur protestën, u ndodha te cepi i Muzeut Kombëtar, kur tumra e protestuesve kishte mbërritur në Shesh.

Në çast ia behën aty disa kamionë të hapur të mbushur me civilë dhe disa furgonë policie me njerëz me uniforma me shkopinj druri në duar. Nuk kuptohej se çfarë ishin civilët, punonjës të SHIK- ut, apo militantë partiakë të angazhuar për të goditur opozitën. Ata zbritën nga makinat dhe filluan të godisnin me egërsi me grushta, shkelma e shkopinj  këdo që  gjenin përpara. Nuk kisha pare ndonjëherë dhunë të tillë ndaj njerëzve të pafajshëm në mes të ditës pa asnjë arsye. Objektivi kryesor i tyre ishin politikanët e opozitës, ndërsa qëllimi ishte shuarja e protestës ende pa filluar.

U rrahën barbarisht dhe u tërhoqën zvarrë nga flokët liderët e saj, shumë prej tyre deputetë të Kuvendit, i cili, sipas Kushtetutës, ishte ende në detyrë: Servet Pëllumbi, Namik Dokle, Ndre Legisi, Erion Braçe  etj. nga Partia Socialiste; Arben Imami, Blendi Gonxhe etj. nga Partia Alenca Demokratike; Gaqo Apostoli nga Partia Social – Demokrate etj.  Ata u tërhoqën zvarrë nga flokët dhe u plasën nëpër furgonët e policisë për t’i çuar nëpër komisariate. Bashkë me ta edhe shumë protestues, qytetarë të thjeshtë nga turma.

U rrëmbye nga njerëz të panjohur dhe u rrah barbarisht gazetari i pavarur Bardhok Lala, që ndodhej atje për të pasqyruar protestën. Ata që e kishin rrëmbyer, e kishin hedhur pastaj në Liqenin Artificial të Tiranës, me mendimin se kishte vdekur. Jeta e tij do të kishte marrë fund, nëse atje nuk do kishte kaluar një qytetar i rastit, që e kishte nxjerre nga uji gjysmë të vdekur.

Midis të rrahurve ishte edhe një fotoreporter spanjoll që kishte ardhur në Shqipëri për të pasqyruar zgjedhjet, i fotografuar në krah të Pëllumbit, me buzën e çarë që i rridhte gjak. Pas pak çastesh pamja e tij me shefin e rrahur të opozitës shqiptare në krah, do të bënte  xhiron e botës nëpërmjet fotografive të agjencive të huaja të lajmeve. Gra dhe vajza të lemerisura nga pamjet apokaliptike po silleshin nëpër sheshin e kryeqytetit të tyre, pa ditur nga të shkonin.

E ndoqa masakrën në Shesh nga cepi i Muzeut Kombëtar, i tmerruar nga pamjet që shfaqeshin para syve. I gjithë ky spektakël barbar ishte ndjekur drejtpërdrejt nga taraca e Hotel “Tiranës” prej vëzhguesve ndërkombëtarë të ODHIR – it, të strehuar në atë hotel gjatë ditëve të qëndrimit në Shqipëri. Policia e dinte që vëzhguesit e huaj ishin atje dhe prandaj dukej sikur po u bënte karshillëk atyre me veprimet e saj të dhunshme ndaj opozitës.

Reagimi ndërkombëtar  

Raporti i vëzhguesve të ODIHR-it për zgjedhjet u publikua më 2 korrik, gjashtë ditë pas zhvillimit të tyre. Zakonisht ky raport publikohet 1 ditë pas zgjedhjeve, por vonesa një – javëshe kishte arsye. Diplomatë të huaj në Tiranë, përflitej se po bënin presion ndaj vëzhguesve nga vendet e tyre që të shkruanin fjalë të sheqerosura për zgjedhjet në raport, pavarësisht atyre që kishin ndodhur në realitet. Përmendej për këtë ambasadori italian në Tiranë Paolo Foresti me vëzhguesit nga vendi i tij.

Pas masakrës në Shesh që e panë me sytë e tyre të tmerruar nga tarraca e Hotel “Tiranës”, 14 vëzhgues nga vende të ndryshme u rrebeluan dhe dolën me një deklaratë të tyre, pa siglën e ODHIR-it që atë ditë, ku kritikoheshin ashpër zgjedhjet. Në raportin zyrtar të bërë publik më 2 korrik, ODHIR-ri e kishte mbledhur mendjen. “Konkluzioni i komisionit vëzhgues është që Kodi Zgjedhor është shkelur në mënyrë flagrante. Në mënyrë specifike, 32 nene të Kodit,  nga 79 gjithsej për periudhën paraelektorale janë  shkelur hapur. … (citohen nenet e shkelura”) Kjo ishte “autopsia” e tij zyrtare për zgjedhjet. Ato konsideroheshin në raport “më të parregulltat” që ishin zhvilluar ndonjëherë pas rrëzimit të komunizmit në një vend të Europës Lindore.

Vlerësime të ashpra pati edhe nga organizata dhe vende të tjera të huaja. Këshilli i Europës me një rezolutë të tij u shpreh: “Zgjedhjet janë njollosur nga dhuna dhe parregullsitë”. Më 21 qershor  Departamenti i Shtetit i quajti zgjedhjet  “Një hap prapa në krahasim me zgjedhjet e mëparshme”.  Pas thirrjes së ndërkombëtarëve për të përsëritur votimet në 40 zona zgjedhore, KQZ “pranoi” disa parregullsi në votime dhe vendosi që këto të përsëriteshin vetëm në … 13 zona. Kjo nuk u pranua nga opozita, që kërkonte përsëriten e plotë të tyre.

Zgjedhjet e manipuluara dhe piramidat financiare

E ndodhur para presionit vendas dha atij ndërkombëtar për zgjedhjet e manipuluara, Berisha lejoi lulëzimin e piramidave financiare gjatë verës dhe vjeshtës së atij viti. Me anë të iluzionit të fitimit të parave pa mundim, ai synonte të fitonte zgjedhjet lokale të 20 tetorit, për të “legjitimuar” kështu zgjedhjet parlamentare. Kjo skemë  funksionoi sipas planit të tij deri ne zgjedhje. Menjëherë pas tyre, piramidat financiare filluan të shemben dhe kjo çoi në katastrofën e vitit 1997, si dhe në zgjedhjet e reja parlamentare në verën e atij viti. Nëntëdhjetegjashta solli nëntëdhjeteshtatën. “Arkitekti” i tyre ishte Sali Berisha, që sot ankohet për “manipulim” të zgjedhjeve.