Teksa segmenti Milot-Balldrenë, pjesë e Korridorit Adratiko-Jonian, ka mbetur peng i procedurave tenderuese, qeveria ka shpallur koston për aksin tjetër që e zgjat këtë autostradë deri në kufirin me Malin e Zi.
Segmenti nga Balldrena e Lezhës deri në pikën e Muriqanit përllogaritet se do të kushtojë 469 milionë euro, një vlerë kjo thuajse e barabartë me segmentin Milot Balldrenë, i cili kushton 465 milionë euro.
Deri më tani nuk ka ende asnjë vendim publik nëse edhe segmenti Balldrenë Muriqan do të ndërtohet me koncesion apo me fonde nga buxheti. Por me shumë gjasa edhe ky aks do të ndërtohet me të njëjtin model si pjesa tjetër nga Balldrena deri në Kashar, pra me koncesion nga privatët dhe me pagesë për qytetarët.
Rruga nga Tirana deri në Murriqan është një akset me trafikun me të lartë të vendit, veçanërisht gjatë sezonit veror për shkak se është një nga pikat kryesore hyrëse për të turistët që vijnë në Shqipëri përmes rrugës tokësore.
Por për shkak të gjendjes së degraduar nga Miloti dhe deri në kufi, ky aks është gjithmonë e rënduar nga trafiku dhe gjatë sezonit të verës shkon thuajse në kolaps të plotë.







