Ballina Aktualitet Ilir Beqaj letër anëtarëve të GJL: Kriteret për vlerën që konsiderohet ‘pasojë...

Ilir Beqaj letër anëtarëve të GJL: Kriteret për vlerën që konsiderohet ‘pasojë e rëndë’ në rastet e vjedhjes janë…

61
0

Ilir Beqaj i është drejtuar Gjykatës së Lartë me një letër ku kërkon rishikimin e një vendimi unifikues të vitit 2003, ku shpreh nevojën për aktualizimin e kritereve orientuese për vlerën që përbën pasojë të rëndë në rastet e vjedhjes.

Sipas Beqajt, kufijtë prej 1 milion lekësh për individët dhe 2 milionë lekësh për personat juridikë nuk përputhen më me realitetin ekonomik të vitit 2026, pasi pagat, të ardhurat dhe inflacioni janë rritur disa herë gjatë 23 viteve të fundit.

“Një shumë që në vitin 2003 përfaqësonte një nivel të caktuar rëndese ekonomike, sot nuk përfaqëson domosdoshmërisht të njëjtën rëndesë”, argumenton ai në letër.

Ish-ministri thotë se qytetarët po përballen me pasoja më të rënda penale mbi bazën e kritereve të vjetra ekonomike, ndaj kërkon një vendim të ri unifikues nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

“Problemi qëndron te fakti se kriteret e tij vijojnë të zbatohen në vitin 2026 me të njëjtat shifra nominale, megjithëse baza ekonomike mbi të cilën ato u ndërtuan ka ndryshuar në mënyrë thelbësore”, shkruan Beqaj.

Në letër ai propozon edhe krijimin e një mekanizmi automatik për përditësimin periodik të këtyre kufijve, duke i lidhur me tregues ekonomikë si paga minimale, paga mesatare apo inflacioni.

“Një mekanizëm i tillë do të garantonte më shumë parashikueshmëri për qytetarët, më shumë njëtrajtshmëri në praktikën gjyqësore dhe më pak rrezik për zbatim mekanik të kufijve nominalë”, thuhet në letër.

Sipas Beqajt, një vendim i ri i Gjykatës së Lartë do të sillte zbatim më proporcional të ligjit penal dhe do ta përshtaste praktikën gjyqësore me realitetin ekonomik të vitit 2026.

Letra e plotë:

Të nderuar anëtarë të Gjykatës së Lartë,

Vendimi nr. 5 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, datë 11.11.2003, ka vendosur një rregull të rëndësishëm të së drejtës lidhur me përcaktimin e rrethanës rënduese sipas paragrafit të dytë të nenit 134 të Kodit Penal.

Në këtë vendim, Kolegjet e Bashkuara kanë arsyetuar:

“Në raport me zhvillimin aktual ekonomik e gjendjen ekonomike të individit e të shoqërisë, Kolegjet e Bashkuara përcaktojnë si kritere orientuese për vlerën si pasojë të rëndë në rastet e vjedhjes së parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal:

1. Shuma ose sende me vlerë mbi 1.000.000 lekë, kur ato u vidhen individëve.

2. Shuma ose sende me vlerë mbi 2.000.000 lekë, kur vjedhja është realizuar në dëm të personave juridikë dhe pasurisë shtetërore.”

Ky vendim ka pasur dhe vijon të ketë rëndësi të madhe në praktikën e drejtësisë penale. Organet e ndjekjes penale dhe gjykatat, në shumë raste, i zbatojnë këto kritere si kufij nominalë të gatshëm, të qartë dhe të pandryshueshëm, shpesh pa një arsyetim të thelluar dhe të individualizuar mbi rrethanat konkrete të çështjes.

Për më tepër, në praktikë këto kritere nuk kufizohen vetëm te vepra penale e vjedhjes, e parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal. Ato janë shtrirë edhe në vepra të tjera penale me natyrë pasurore, përfshirë veprat e parashikuara nga neni 143 e vijues i Kodit Penal, me arsyetimin se edhe në këto raste pasoja ekonomike është e ngjashme me atë të vjedhjes.

Në këtë mënyrë, kriteret orientuese të vendosura me Vendimin nr. 5, datë 11.11.2003, kanë marrë një rëndësi praktike që shkon përtej nenit 134/2. Ato ndikojnë në kualifikimin juridik dhe në rëndimin e përgjegjësisë penale në një numër të konsiderueshëm dispozitash të Kodit Penal, të paktën në dhjetë nene të ndryshme.

Kanë kaluar 23 vjet nga përcaktimi i këtyre dy vlerave nominale.

Kur Kolegjet e Bashkuara i caktuan këto kritere, ato u mbështetën shprehimisht “në raport me zhvillimin aktual ekonomik” dhe me “gjendjen ekonomike të individit e të shoqërisë”. Pra, vetë arsyetimi i vendimit e lidhi përcaktimin e këtyre vlerave me realitetin ekonomik të kohës.

Mirëpo realiteti ekonomik i vitit 2026 është rrënjësisht i ndryshëm nga ai i vitit 2003.

Të dhënat e verifikuara tregojnë se gjatë kësaj periudhe:

* paga minimale në shkallë vendi është pesëfishuar;

* paga mesatare në shkallë vendi është pesëfishuar;

* të ardhurat mesatare për banor janë pesëfishuar;

* inflacioni i akumuluar në 23 vjet është mbi 200%.

Këto të dhëna tregojnë se vlerat nominale prej 1.000.000 lekësh dhe 2.000.000 lekësh, të përcaktuara në vitin 2003, nuk kanë më të njëjtën peshë ekonomike, sociale dhe penale në vitin 2026.

Një shumë që në vitin 2003 përfaqësonte një nivel të caktuar rëndese ekonomike, sot nuk përfaqëson domosdoshmërisht të njëjtën rëndesë. Fuqia blerëse, niveli i pagave, të ardhurat për banor dhe çmimet e përgjithshme kanë ndryshuar ndjeshëm. Për rrjedhojë, edhe kuptimi praktik i “pasojës së rëndë” duhet të vlerësohet në dritën e këtyre ndryshimeve.

Në këtë kontekst shtrohet pyetja: a është e drejtë dhe proporcionale që qytetarët të ndiqen penalisht dhe të përballen me pasoja më të rënda penale mbi bazën e kritereve orientuese që nuk pasqyrojnë më nivelin aktual të zhvillimit ekonomik të vendit?

Natyrisht, një rregull juridik nuk bëhet automatikisht i vjetruar apo i pazbatueshëm vetëm për shkak të kalimit të kohës. Edhe jurisprudenca kushtetuese e ka pranuar se koha në fuqi e një rregulli, në vetvete, nuk mjafton për ta bërë atë të papërdorshëm.

Por rasti konkret ka një veçori thelbësore.

Rregulli i vendosur me Vendimin nr. 5, datë 11.11.2003, nuk është një rregull abstrakt dhe i shkëputur nga realiteti ekonomik. Përkundrazi, ai është ndërtuar pikërisht mbi vlerësimin e zhvillimit ekonomik dhe gjendjes ekonomike të individit e të shoqërisë në atë kohë.

Prandaj, problemi nuk qëndron te fakti që vendimi është i vitit 2003. Problemi qëndron te fakti se kriteret e tij vijojnë të zbatohen në vitin 2026 me të njëjtat shifra nominale, megjithëse baza ekonomike mbi të cilën ato u ndërtuan ka ndryshuar në mënyrë thelbësore.

Ajo që ishte “aktuale” në vitin 2003 nuk mund të konsiderohet, pa rivlerësim, si po aq aktuale edhe në vitin 2026.

Për këtë arsye, është e nevojshme që kriteret orientuese për vlerën që përbën pasojë të rëndë në rastet e nenit 134/2 të Kodit Penal të aktualizohen. Ky aktualizim do t’i shërbente parimit të proporcionalitetit, sigurisë juridike, barazisë në zbatimin e ligjit dhe individualizimit të përgjegjësisë penale.

Nevoja për aktualizim bëhet edhe më e dukshme pas përfshirjes në Kodin Penal të nenit 143/a/8, “Mashtrimi në dëm të interesave financiare të Bashkimit Evropian”, në fuqi prej shkurtit 2026. Në këtë dispozitë, ligjvënësi e ka përcaktuar shprehimisht vlerën monetare prej 50.000 euro si element të rrethanës rënduese.

Ky zhvillim normativ tregon se vlera monetare e dëmit nuk është një element dytësor apo formal, por një kriter thelbësor për diferencimin e përgjegjësisë penale. Për rrjedhojë, nuk është e arsyeshme që për një grup të gjerë veprash penale me natyrë pasurore të vijojnë të zbatohen, pa përditësim, kufij nominalë të përcaktuar mbi realitetin ekonomik të vitit 2003.

Pa sugjeruar që vlera e përcaktuar në nenin 143/a/8 të transferohet mekanikisht te dispozitat e tjera, ekzistenca e këtij standardi të ri ligjor tregon nevojën për një qasje më të përditësuar, më koherente dhe më proporcionale në vlerësimin e pasojës së rëndë në veprat penale me natyrë pasurore.

Në këtë kuptim, një vendim i ri unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë do të ishte mjeti më i përshtatshëm për të vendosur një rregull të përditësuar të së drejtës.

Ky rregull i ri nuk duhet të kufizohet vetëm në përcaktimin e dy vlerave të reja nominale. Do të ishte e dobishme që ai të përfshinte edhe një mekanizëm vetërregullues, në mënyrë që kriteret orientuese të mos mbeten përsëri të pandryshuara për dekada.

Një mekanizëm i tillë mund të lidhet me tregues objektivë dhe zyrtarë ekonomikë, si paga minimale, paga mesatare në shkallë vendi, të ardhurat mesatare për banor dhe/ose indeksi i çmimeve të konsumit. Përditësimi mund të bëhet çdo dy ose tre vjet, me fuqi nga data 1 janar e vitit përkatës.

Në këtë mënyrë, kriteret orientuese për “pasojën e rëndë” do të vazhdonin të ruanin lidhjen me arsyen për të cilën u vendosën fillimisht nga Kolegjet e Bashkuara: raportin me zhvillimin ekonomik dhe me gjendjen ekonomike të individit e të shoqërisë.

Një mekanizëm i tillë do të garantonte më shumë parashikueshmëri për qytetarët, më shumë njëtrajtshmëri në praktikën gjyqësore dhe më pak rrezik për zbatim mekanik të kufijve nominalë të dalë nga konteksti ekonomik në të cilin janë përcaktuar.

Të nderuar anëtarë të Gjykatës së Lartë,

Nëse sa më sipër vlerësohet e arsyeshme, Gjykata e Lartë i ka mjetet procedurale për të vënë në lëvizje Kolegjet e Bashkuara, me qëllim rishqyrtimin dhe aktualizimin e kritereve orientuese të përcaktuara me Vendimin nr. 5, datë 11.11.2003.

Një vendim i ri unifikues do të forconte sigurinë juridike, do të siguronte zbatim më proporcional të ligjit penal dhe do të përshtaste praktikën gjyqësore me realitetin ekonomik të vitit 2026.

Në thelb, kërkesa nuk është për të ndryshuar parimin e vendosur në vitin 2003. Përkundrazi, është për ta ruajtur atë parim në kuptimin e tij të vërtetë: që vlera e pasojës së rëndë të përcaktohet në raport me zhvillimin aktual ekonomik dhe me gjendjen ekonomike të individit e të shoqërisë.

Pikërisht për këtë arsye, kriteret orientuese të vitit 2003 kanë nevojë të aktualizohen në vitin 2026.

Me konsideratë,

Ilir Beqaj