Ish-mbretëresha e Danimarkës, Margrethe, 86 vjeç, e cila u tërhoq nga froni dy vite më parë, është shtruar në spital pas një rrëzimi që i shkaktoi një hematomë të madhe në zonën e kofshës, njoftoi sot pallati mbretëror.
Sipas deklaratës zyrtare, ekzaminimet mjekësore treguan një “grumbullim të konsiderueshëm gjaku në nivelin e kofshës”.
Mbretëresha, e cila ia ka dorëzuar fronin djalit të saj të madh, Frederikut, do të qëndrojë e shtruar për disa ditë në spitalin Rigshospitalet në Kopenhagë. Pallati bëri të ditur se ajo është “në gjendje të mirë shpirtërore, duke marrë parasysh rrethanat”.
Margrethe iu nënshtrua një ndërhyrjeje angioplastike në mesin e muajit maj dhe qëndroi për disa ditë në spital. Ajo mbetet një figurë shumë e dashur për danezët, veçanërisht për rolin e saj në modernizimin e monarkisë. Megjithatë, vitet e fundit është përballur me probleme të njëpasnjëshme shëndetësore.
Më herët, ajo kishte deklaruar se nuk kishte ndërmend të hiqte dorë nga froni, por ndryshoi qëndrim pasi iu nënshtrua një operacioni serioz në shpinë në vitin 2023.







