Ballina Ekonomia Pastrimi i parave, 8.7 mln lekë gjoba në 2025, zyrat e këmbimit...

Pastrimi i parave, 8.7 mln lekë gjoba në 2025, zyrat e këmbimit dhe noterët u ndëshkuan më shumë

148
0

Agjencia e Inteligjencës Financiare (AIF), gjatë vitit 2025, shtoi masat administrative ndaj subjekteve që nuk kanë respektuar detyrimet për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Sipas raportit vjetor të institucionit janë shqyrtuar gjithsej 67 raste kundërvajtjesh administrative, ku pjesa më e madhe lidhej me noterë, zyra këmbimi valutor, shoqëri ndërtimi dhe institucione financiare jobanka.

Në përfundim të procedurave administrative, AIF vendosi 27 masa me gjobë dhe 37 masa paralajmërimi, ndërsa në 3 raste procedimi u pushua.

Sipas të dhënave, gjobat varionin nga minimumi 100 mijë lekë deri në maksimumin 800 mijë lekë. Në total, vlera e gjobave të vendosura gjatë vitit 2025 arriti në 8.7 milionë lekë.

Peshën më të madhe të gjobave e mbajnë zyrat e këmbimit valutor, me 8 masa administrative dhe një vlerë totale prej 2.9 milionë lekësh. Pas tyre renditen noterët me 1.6 milionë lekë gjoba dhe shoqëritë e ndërtimit me 1.4 milionë lekë. Gjoba janë vendosur edhe ndaj institucioneve financiare jobanka, ndërmjetësve të pasurive të paluajtshme, shoqërive të udhëtimit, shoqërive të sigurimit të jetës dhe tregtuesve të metaleve e gurëve të çmuar.

Sipas raportit, shkeljet më të zakonshme kanë qenë moszbatimi i procedurave të vigjilencës ndaj klientëve, mungesa e dokumentacionit për identifikimin e tyre, mosraportimi i transaksioneve cash mbi pragun ligjor dhe mosmbajtja e regjistrave të kërkuar nga ligji.

Raporti evidenton gjithashtu se procesi i mbikëqyrjes është shtrirë jo vetëm përmes inspektimeve në terren, por edhe përmes monitorimit në distancë. Gjatë vitit 2025 janë realizuar 107 inspektime, ose 53% më shumë se në vitin 2024. Nga këto kontrolle, në 67 raste janë konstatuar shkelje administrative.

Sa u përket proceseve gjyqësore, nga 17 të tilla, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë është shprehur me 13 vendime në favor të AIF.

Krahasuar me vitin 2024, ekzekutimi i masave administrative nga AIF ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë vitit 2025. Numri i vendimeve me gjobë u rrit nga 15 në 27 masa administrative, ndërsa vlera totale e gjobave të vendosura arriti në 8.7 milionë lekë, nga 8.5 milionë lekë një vit më parë. Rritje edhe më e fortë evidentohet te arkëtimet, pasi shuma totale e mbledhur nga ekzekutimi i gjobave arriti në 18.28 milionë lekë në vitin 2025, krahasuar me 6.04 milionë lekë në vitin 2024.

Sipas raportit, kjo rritje lidhet me ndjekjen më intensive të procedurave të ekzekutimit dhe bashkëpunimin me zyrat përmbarimore për mbledhjen e detyrimeve./ekofin.al