Faqja zyrtare e Ministrisë së Punës, Sistemit të Pensioneve, Familjes dhe Politikës Sociale të Kroacisë është sulmuar nga hakerë, ndërsa në portal u shfaq mesazhi provokues: “Vdekje ustashëve, Rroftë Serbia e Madhe”. Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë një grup i quajtur “INF Group”, ndërsa pas ndërhyrjes së paautorizuar faqja kryesore e ministrisë ishte ‘pjesërisht e paarritshme për përdoruesit’.
Sipas mediave kroate, mesazhi është publikuar një ditë më parë dhe lidhjet e vendosura në faqe çonin drejt një kanali në Telegram, i krijuar vetëm pak ditë më parë. Deri tani nuk janë publikuar detaje të tjera mbi mënyrën e sulmit apo identitetin e autorëve.
Incidenti ndodh në një moment të ndjeshëm për sigurinë kibernetike në Evropë, pasi së fundmi janë raportuar edhe sulme ndaj infrastrukturave institucionale të Komisionit Europian, ku dyshohet se janë komprometuar të dhëna të rëndësishme.
Mediumi kroat Index.hr raportoi se ka kontaktuar ministrinë për një reagim zyrtar mbi rastin, por deri tani autoritetet nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.







