Ballina Politika Boçi në Kukës: Shpopullimi alarm kombëtar. Reforma e vitit 2014 nisi me...

Boçi në Kukës: Shpopullimi alarm kombëtar. Reforma e vitit 2014 nisi me hartën dhe harroi qytetarin

53
0

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale zhvilloi dëgjesën e radhës në Kukës, ku bashkëkryetari i Komisionit dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Luciano Boçi, deklaroi se reforma territoriale e vitit 2014 ka dështuar në përmbushjen e premtimeve të saj dhe se shpopullimi i zonave veriore është prova më e qartë e këtij dështimi.

Në fjalën e tij, Boçi kritikoi përdorimin e “mesatarizmave” statistikore nga qeveria, duke argumentuar se realiteti i Kukësit nuk mund të krahasohet me Tiranën apo Elbasanin.

“Kukësi është qarku më i varfër në rajon dhe duhet parë në raport me atë që iu premtua qytetarëve në vitin 2014”, u shpreh ai.

Boçi tha se reforma premtoi autonomi financiare, kompetenca dhe ulje të administratës, por sipas tij ka ndodhur e kundërta.

Ai deklaroi se administrata është dyfishuar dhe kritikoi argumentin se bashkitë e vogla nuk kanë kapacitete administrative.

Sipas tij, bashki si Hasi kanë juristë dhe inxhinierë, ndërsa mungesat mund të zgjidhen përmes bashkëpunimit ndërbashkiak dhe prokurimeve publike, siç ndodh në vendet europiane.

Boçi ngriti shqetësimin për mungesën e shërbimeve në dhjetëra fshatra të qarkut Kukës dhe tha se qytetarët sot nuk kanë as përfaqësim dhe as institucione ku të kërkojnë llogari.

Ai deklaroi se bashkitë e qarkut Kukës sigurojnë vetëm rreth 15% të të ardhurave vetë, ndërsa pjesa tjetër financohet nga qeveria qendrore.

Sipas Boçit, formula aktuale e financimit duhet ndryshuar duke marrë në konsideratë relievin, largësinë, shpërndarjen territoriale dhe nivelin e varfërisë.

Në fjalën e tij, Boçi kundërshtoi qasjen e Partisë Socialiste për uljen e numrit të bashkive dhe krijimin e njësive më të mëdha administrative, duke deklaruar se Partia Demokratike niset nga qytetari dhe jo nga harta.

“Nëse qytetari është larg shtetit dhe shërbimit, atëherë ne duhet ta afrojmë shtetin me qytetarin”, deklaroi ai.

Boçi solli si shembull zonat alpine të Zvicrës, të cilat sipas tij financohen me fonde të posaçme shtetërore për të shmangur boshatisjen e territoreve.

Ai paralajmëroi se shpopullimi po kthehet në një alarm kombëtar dhe se Shqipëria rrezikon të humbasë identitetin, historinë dhe traditat e zonave të saj.

Në fund të fjalës së tij, Boçi kritikoi edhe tarifën e Rrugës së Kombit, duke ironizuar se hyrja në Kukës kushton sa hyrja në Venecia.

“Për të ardhur në Kukës sot më duhej të paguaja rreth 25 euro si turist politik. I vetmi qytet tjetër ku hyn me 5 euro është Venecia”, u shpreh ai.

Boçi përfundoi duke uruar qytetarët për festën e Kurban Bajramit dhe duke theksuar se sfida e reformës territoriale nuk është partiake, por sfidë për të afruar shtetin dhe shërbimet me qytetarin.