Porti i Durrësit po përgatitet për fluksin e verës me masa të reja për turistët dhe bizneset, ndërsa administrata doganore paralajmëron kontrolle më të forta dhe më pak pritje në hyrje-dalje. Gjatë një inspektimi në terminalin e pasagjerëve, Ministri i Financave, Petrit Malaj, dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, prezantuan masat që do të zbatohen për sezonin turistik, mes tyre edhe pajisja e doganierëve me kamera trupi.
Ministri Malaj tha se turizmi mbetet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare dhe se institucionet duhet të garantojnë lëvizje sa më të shpejtë për qytetarët dhe turistët që hyjnë apo dalin nga vendi.
“Është e rëndësishme që Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, me stafin e saj, të marrin masat e nevojshme në mënyrë që të facilitojnë hyrjen e daljen e turistëve. Përpos mikpritjes dhe krijimit dhe facilitimit të shpejtë të lëvizjes së hyrjeve dhe të daljeve në portin e Durrësit, do duhet që të merren masa edhe në pjesën e sigurisë portuale për sa i përket hyrjes dhe daljes së mallrave të paligjshëm”, u shpreh Malaj.







