Ballina Aktualitet Praktika e re për masat e sigurisë nuk sjell ndryshim për Veliajn,...

Praktika e re për masat e sigurisë nuk sjell ndryshim për Veliajn, Gjykata e Lartë lë në fuqi arrestin në burg

45
0

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”.

Veliaj kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë, duke propozuar masa më të buta si “garanci pasurore” ose “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Kërkesa e tij u shqyrtua në seancën e sotme, por nuk u pranua nga Gjykata e Lartë, e cila la në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO-së me nr. 53 (87_2026_68), datë 24.02.2026.

Rekursi ishte paraqitur më 6 maj, vetëm dy ditë pas vendimit të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, i cili përcaktoi një qasje të re për masat e sigurisë, duke theksuar se arresti në burg duhet të jetë masa e fundit dhe të justifikohet me argumente konkrete, pas shqyrtimit të alternativave më të lehta.

Në kërkesën e tij, Veliaj argumentonte se kushtet ligjore nuk justifikonin vijimin e masës më të rëndë të sigurisë, por pretendimet e tij nuk bindën trupën gjykuese.

Erion Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa ndaj tij SPAK ka ngritur 13 akuza, përfshirë korrupsion pasiv, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe vepra të tjera penale.