Ballina Aktualitet Shqipëria pa barna në spitale, por me protokoll të ri për terapinë...

Shqipëria pa barna në spitale, por me protokoll të ri për terapinë hormonale të transgjinorëve

54
0

Në një kohë kur qindra pacientë në Shqipëri, veçanërisht ata të prekur nga sëmundjet tumorale, përballen çdo ditë me mungesën e barnave jetike në spitalet publike, Ministria e Shëndetësisë duket se ka zgjedhur prioritete të tjera. Në vend që të adresojë krizën alarmante të terapive në QSUT dhe sidomos në Onkologjik, ku pacientët shpesh detyrohen të ndërpresin trajtimin ose të kërkojnë zgjidhje në spitale private me kosto të papërballueshme, ministria ka miratuar një udhëzues të posaçëm për trajtimin hormonal të personave transgjinorë.

Me urdhrin nr. 304, datë 28.04.2026, zëvendësministrja e Shëndetësisë miraton “Udhëzuesin e Praktikës Klinike për trajtimin hormonal të personave transgjinorë”, i cili do të zbatohet në shërbimin e Endokrinologjisë në QSUT “Nënë Tereza”. Dokumenti, të cilin e disponon ekofin.al, parashikon protokolle të detajuara për terapitë hormonale, monitorimin klinik dhe ndjekjen e pacientëve transgjinorë.

Sigurisht, çdo qytetar ka të drejtë të marrë trajtim shëndetësor dhe askush nuk duhet të diskriminohet. Por debati që shtrohet sot është ai i prioriteteve në një sistem shëndetësor që prej muajsh përballet me mungesa dramatike të barnave bazë. Në Onkologjik, pacientë me kancer raportojnë vazhdimisht mungesa të terapive, duke u detyruar të blejnë medikamente me mijëra euro në sektorin privat. Familje të tëra hyjnë në borxhe, shesin prona apo kurimet ndërpriten për shkak të pamundësisë financiare.

Ndërkohë, QSUT vazhdon të përballet me mungesa të herëpashershme të medikamenteve, materialeve mjekësore dhe kapaciteteve të trajtimit, ndërsa qytetarët presin me javë apo muaj për analiza dhe terapi jetike. Pikërisht në këtë realitet, ngritja e një protokolli të ri hormonal për një kategori shumë më të kufizuar pacientësh natyrshëm ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si po menaxhohen fondet dhe prioritetet në shëndetësi.

Vetë dokumenti parashikon përdorimin e terapive hormonale si testosteroni, estrogjeni, anti-androgjenët dhe barna të tjera që kërkojnë monitorim të vazhdueshëm mjekësor. Në udhëzues përfshihen edhe procedura të ndjekjes klinike dhe ekzaminime të specializuara.

Kjo vjen në një kohë kur shumë pacientë kronikë ankohen se nuk marrin dot as terapitë bazë të rimbursueshme në kohë. Përballë kësaj situate, ekspertët kërkojnë që Ministria e Shëndetësisë të fokusohet fillimisht tek garantimi i barnave jetike për shumicën e pacientëve në sistemin publik, përpara se të zgjerojë shërbime të tjera që kërkojnë financime dhe burime shtesë.

Në thelb, problemi nuk është ekzistenca e trajtimit për personat transgjinorë, por fakti që një sistem shëndetësor në krizë vazhdon të mos arrijë të garantojë minimumin për pacientët që luftojnë çdo ditë për mbijetesë. Për shumë familje shqiptare që bredhin farmacive për të gjetur ilaçet e kimioterapisë apo që trokasin në dyert e spitaleve private për shkak të mungesave në QSUT, ky vendim shihet si një tjetër shembull i shkëputjes së institucioneve nga realiteti dramatik i spitaleve publike./ekofin.al