Ballina Europë Zbulohet pasuria sekrete e aleatit të Matteo Messina Denaros, sekuestrohen 200 milionë...

Zbulohet pasuria sekrete e aleatit të Matteo Messina Denaros, sekuestrohen 200 milionë euro në Europë, Liban dhe Ishujt Kajman

79
0

Autoritetet italiane kanë goditur një nga rrjetet më të mëdha të pastrimit të parave të lidhura me mafian siciliane, duke sekuestruar pasuri me vlerë rreth 200 milionë euro që dyshohet se i përkisnin trafikantit të drogës Giacomo Tamburello, një nga bashkëpunëtorët më besnikë të ish-bosit mafioz Matteo Messina Denaro.

Operacioni i Guardia di Finanza dhe Prokurorisë së Palermos zbuloi një perandori financiare të fshehur në disa vende të Europës, por edhe në Liban dhe Ishujt Kajman. Tamburello u arrestua në provincën e Trapanit, ndërsa në Spanjë përfunduan në pranga edhe ish-bashkëshortja dhe djali i tij, Maria Antonina Bruno dhe Luca Tamburello.

Sipas hetimeve, 66-vjeçari kishte ndërtuar prej dekadash një rrjet trafiku hashashi nga Maroku drejt Europës. Dy bashkëpunëtorë të drejtësisë kanë deklaruar se Matteo Messina Denaro merrte 10 për qind të fitimeve nga çdo ngarkesë droge.

Hetuesit zbuluan llogari bankare, kompani offshore, vila, apartamente dhe dhjetëra prona luksi të shpërndara në Spanjë, Andorra, Luksemburg, Zvicër, Gjibraltar, Monako, Liban dhe Ishujt Kajman. Mes pasurive të sekuestruara janë edhe makina luksoze si Porsche Carrera 4 GTS dhe Land Rover Defender.

Sipas prokurorëve italianë, rrjeti përdorte kompani të regjistruara jashtë vendit dhe transferta të ndërlikuara financiare për të fshehur origjinën e parave të drogës. Hetimi nisi pasi autoritetet zbuluan se ish-bashkëshortja e Tamburellos, zyrtarisht amvise, kishte miliona euro në llogari bankare në Luksemburg dhe Andorra.

Prokurori kombëtar antimafia Giovanni Melillo deklaroi se operacioni godet tentativat për riorganizimin e Cosa Nostra dhe rrjeteve të saj ndërkombëtare të trafikut të drogës.