Ish ministri i shëndetësisë Ilir Beqaj nuk heq dorë nga kërkesat për të fituar lirinë e cila i mungon prej korrikut të vitit 2024.
Pasi shkalla e parë ia rrëzoi kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë nga arrest në burg në masë tjetër si garancia pasurore, ish ministri i është drejtuar apelit të posaçëm me një ankim ndaj këtij vendimi.
Dhe në shkallën e dytë të gjyqësorit kërkesa e tij mbetet e njëjta, lirimin nga qelia.
Ilir Beqaj akuzohet për pesë vepra penale në procedimin penal që ka të bëjë me vjedhjen e fondeve të Bashkimit Europian përmes programit Saspac.
Ndaj tij prokuroria i ka renditur si “korrupsion pasiv”, “shkelje e barazisë në tenderë”, “falsifikim dokumentash”, “mashtrim” në bashkëpunim dhe “mosdeklarim pasurie”.
Paralelisht me këtë çështje, ish ministri i Shëndetësisë po gjykohet edhe për çështjen “Sterilizimi”, në një proces të ndarë nga grupi tjetër që u dënua pak javë më parë nga Gjykata e Posaçme.







