Ballina Rajoni ‘Forumi Shqiptar’/ Partitë politike në Malin e Zi bashkohen në një subjekt...

‘Forumi Shqiptar’/ Partitë politike në Malin e Zi bashkohen në një subjekt të vetëm

60
0

Një vendim politik historik për shqiptarët në Mal të Zi u ndërmor sot në Tuz, ku tre parti shqiptare vendosën të shkrihen në një subjekt të vetëm politik të quajtur Forumin Shqiptar. Në një kohë kur skena politike karakterizohet nga ndarje dhe krijimi i partive të reja, Alternativa Shqiptare, Unioni Nacional Shqiptar dhe Lidhja Demokratike Shqiptare, zgjodhën të bëjnë të kundërtën: të bashkojnë strukturat, energjitë dhe vizionin e tyre politik në një organizim të vetëm politik.

Në fjalën e tij, kryetari i Alternativës Shqiptare, Nik Gjeloshaj, tha se ky bashkim është rezultat i besimit të ndërtuar ndër vite, i rezultateve të arritura në zgjedhjet e fundit dhe i punës konkrete në nivel lokal dhe qendror, duke e cilësuar atë si një investim në të ardhmen e shqiptarëve dhe në rrugën europiane të Malit të Zi.

Gjeloshaj theksoi se në fakt ky është bashkimi më i madh i shqiptarëve, që nga 7 subjekte ndër vite, sot janë një subjekt i vetëm. Nga ana tjetër, Gjeloshaj theksoi se shqiptarët duan të shohin vetëm një adresë të fuqishme që prezanton kërkesat e tyre, dhe kjo adresë e ka emrin Forumi Shqiptar!

Në fjalët e tyre edhe kryetari i Unionit Nacional Shqiptar, Ferhat Dinosha, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike Shqiptare, Ivan Ivanaj, vlerësuan se bashkimi i tre partive përfaqëson një moment të rëndësishëm për organizimin politik të shqiptarëve në Mal të Zi.

Ata theksuan se ky vendim është dëshmi e pjekurisë politike dhe e gatishmërisë për të vendosur interesin e përgjithshëm mbi interesat partiake, me synimin për të forcuar përfaqësimin e shqiptarëve dhe për të ndërtuar një zë më të fuqishëm në institucionet e vendit.