Ballina Aktualitet Moratoriumi i peshkimit jep rezultate në liqenin e Kukësit, kërkohet respektimi i...

Moratoriumi i peshkimit jep rezultate në liqenin e Kukësit, kërkohet respektimi i rregullave

49
0

Për ruajtjen dhe përmirësimin e rezervës peshkore në liqenin e Kukësit, është shumë i rëndësishëm respektimi i periudhës së riprodhimit, gjatë së cilës ndalohet në mënyrë kategorike gjuetia e peshkut.

Bëhet fjalë për periudhën 25 prill – 25 maj, por për kryetarin e Organizatës për Mbrojtjen e Peshkut, Beqir Iseberi, është po aq e rëndësishme që të respektohen rregullat e peshkimit me rrjeta edhe pas përfundimit të kësaj periudhe.

Sipas tij, pjesa më e madhe e peshkatarëve e kanë respektuar ndalimin e peshkimit gjatë kësaj kohe.

Këtë vit, shtimin e peshkut e ka favorizuar niveli i ujit në liqenin e Kukësit, i cili ka qenë në kuotat maksimale, duke krijuar kushte optimale për lëshimin e vezëve dhe riprodhimin e peshkut.

Shumë shpejt, liqeni i Kukësit do të ketë tre inspektorë peshkimi. Krijimi i këtij inspektorati pritet të minimizojë problematikat dhe veprimtarinë e paligjshme në liqen.

Ndërkohë, problem shqetësues mbetet ndotja masive e liqenit, e cila dëmton faunën ujore, por edhe vetë peshkatarët, duke u dëmtuar rrjetat e peshkimit.

Liqeni i Kukësit ka një sipërfaqe prej rreth 80 kilometrash katrorë dhe një rezervë ujore prej afërsisht 3 miliardë metra kub ujë. E gjithë kjo sipërfaqe ujore është e populluar me lloje të ndryshme peshqish, duke përbërë një pasuri të rëndësishme për ekonominë ujore të zonës.