Arsenali u mposht mbrëmjen e djeshme në finalen e Ligës së Kampioneve përballë PSG-së, por sot po feston në rrugët e Londrës. “Topçinjtë” harrojnë zhgënjimin në Budapest dhe festojnë triumfin në Premier Ligë pas plot 22 vitesh.
Arsenali ka zhvilluar sot paradën festive për titullin e Premier Leagues, duke mbledhur një numër të jashtëzakonshëm tifozësh në rrugët e Londrës. Pavarësisht humbjes në finalen e Ligës së Kampioneve ndaj PSG-së një ditë më parë, anglezët e kanë harruar shpejt dhe atmosfera në Londër ka qenë krejtësisht festive, me skuadrën që ka ndarë gëzimin e suksesit në kampionat me mbështetësit e saj.
Sipas raportimeve të BBC-së, më shumë se 500 mijë tifozë dolën në rrugë për të përshëndetur ekipin gjatë paradës që zgjati rreth dy orë e gjysmë.
Lojtarët dhe stafi teknik udhëtuan me autobusë me çati të hapur përgjatë rrugëve kryesore të Londrës, ndërsa flamujt e kuq, këngët e tifozëve dhe fishekzjarrët krijuan një atmosferë spektakolare.
Festa kulmoi në qendër të qytetit, ku mijëra mbështetës festuan së bashku rikthimin e titullit të Premier Ligës në duart e Arsenalit pas një pritjeje prej 22 vitesh. Ky ishte titulli kampion numër 14 në historinë e klubit anglez.







