Ballina Aktualitet Dhuna dhe spray i hedhur nga rojet privatë ndaj protestuesve në Zvërnec,...

Dhuna dhe spray i hedhur nga rojet privatë ndaj protestuesve në Zvërnec, Bido: T’i hiqet licenca kompanisë së sigurisë

55
0

Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, ka dënuar hedhjen e spray-t me piper dhe dhunën e ushtruar nga disa roje privatë ndaj protestuesve në Zvërnec të Vlorës, njëri prej të cilëve u tërhoq zvarrë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bido shprehet se arrestimi i rojës privat Gerald Biba dhe nisja e hetimeve ndaj të gjithë zinxhirit komandues të Policisë në Vlorë për këtë ngjarje, është për t’u përshëndetur.

Teksa kërkon heqjen e licencës kompanisë së sigurisë ‘Major Security’ Bido shprehet se shteti ka vetëm një autoritet dhe forca e shtetit nuk mund të privatizohet.

Ditën e djeshme dhjetëra qytetarë protestuan kundër ndërtimit të një resorti në zonën e Zvërnecit në Vlorë, i cili po ndërtohet nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development”.

Reagimi i Ardit Bidos:

Koha t’u hiqet licensa banditëve që mendojnë se janë mbi ligjin!

Arrestimi i personit që ushtroi dhune ndaj protestuesve në Zvërnec është për t’u përshëndetur. Po aq për t’u përshëndetur është edhe vendimi për të hetuar të gjithë zinxhirin komandues të Policisë Vlorë. Shteti serioz nuk mbulon askënd, as privatin, as veten.

Tani hetimi duhet të shkojë deri në fund. Dhe kur të konfirmohet ajo që pamjet tregojnë qartë, pra se kompania e sigurisë ka tejkaluar kompetencat dhe ka ushtruar forcë në kundërshtim me ligjin, duhet të merren masat më të forta që parashikon ligji, deri në heqjen e licencës.

Në Shqipëri nuk mund të privatizohet forca. Shteti ka vetëm një autoritet.