Ballina Aktualitet “Rama në burg, Berisha në burg”, protesta për Nartën kthehet në revoltë...

“Rama në burg, Berisha në burg”, protesta për Nartën kthehet në revoltë kundër klasës politike

53
0

Me thirrjet “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, “Rama në burg” dhe “Berisha në burg”, qytetarë nga Vlora dhe Tirana u mblodhën pasditen e së dielës para Drejtorisë së Policisë së Tiranës për të protestuar kundër asaj që ata e cilësuan si keqtrajtim të aktivistëve gjatë protestës së zhvilluar në Nartë kundër projektit të resortit turistik.

Tubimi nisi para Drejtorisë së Policisë, por më pas aktivistë të Lëvizjes Bashkë dhe përfaqësues të shoqatave mjedisore orientuan protestuesit drejt Ministrisë së Brendshme dhe më tej drejt Kryeministrisë. Pikërisht para godinës së Kryeministrisë protesta zgjati më shumë, ndërsa pjesëmarrësit hodhën parulla kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Gjatë tubimit, aktivisti Arben Kola ftoi qytetarë të ndryshëm të merrnin fjalën dhe të përcillnin mesazhet e tyre. Në fjalimet e mbajtura u kërkua anulimi i projektit në Nartë, largimi i qeverisë dhe u përsëritën thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, duke e shtrirë kriticizmin jo vetëm ndaj qeverisë aktuale, por edhe ndaj klasës politike në tërësi.

Një moment i veçantë i protestës ishte ndërhyrja e një prej pjesëmarrësve, i cili i bëri thirrje gazetarit Marin Mema të krijojë një parti politike dhe të vendoset në krye të një lëvizjeje të re politike.

Në përfundim të tubimit, organizatorët njoftuan se protestat do të vijojnë edhe ditën e nesërme.