Ballina Sport Superliga/ Egnatia shpallet kampione e Shqipërisë për herë të tretë radhazi

Superliga/ Egnatia shpallet kampione e Shqipërisë për herë të tretë radhazi

53
0

Superliga shqiptare e futbollit mbylli këtë të dielë sezonin 2025-26, me Egnatian e Rrogozhinës që u shpall kampione për herë të tretë në histori dhe të tretën radhazi. Në një sezon të gjatë që filloi më 22 gusht të vitit të shkuar, Egnatia ishte ekipi më i mirë i fazës ‘Final 4’ duke e mbyllur në vendin e parë, teksa la pas AF Elbasanin edhe pse me kuotë të njëjtë pikësh, 37, por rrogozhinasit fituan në ndeshjen direkte dhe gjithashtu siguruan një golavarazh më të mirë (+7), çka ishte deçiziv në fund të turneut.

Këtë sezon, sipas formulës së miratuar që në fillim të garës, katër skuadrat e renditura në krye pas 36 javëve të rregullta iu drejtuan fazës ‘Final 4’. Edhe pse Vllaznia dhe AF Elbasani ishin në krye gjatë sezonit të rregullt, në fazën ‘Final 4’ Egnatia u tregua më e saktë dhe falë tre fitoreve kundër Vllaznisë, AF Elbasanit dhe Dinamos ia doli të rikuperojë pikët dhe të mbajë trofeun në Rrogozhinë.

NDESHJET – Këtë të dielë dy ndeshjet e fundit u luajtën në të njëjtin orar, duke filluar nga ora 19:00. Egnatia fitoi 2-0 kundër Dinamos në ‘Elbasan Arena’, teksa e kishte vetë në dorë çështjen e titullit kampion. Golat për Egnatian u shënuan nga Alessandro Albanese në minutat 29 (11 metërsh) dhe 39-të. Me pesë ndeshje në stol, trajneri Nevil Dede ia doli të dërgonte Egnatian drejt trofeut, edhe pse një pjesë e këtij suksesi padyshim i takon ish-trajnerit Edlir Tetova që u largua vetëm dy javë nga fundi i sezonit të rregullt.