Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Adanës në Turqi, ku një ish-oficer policie dyshohet se ka vrarë djalin e tij pas një sherri në familje.
Sipas mediave turke, ngjarja ndodhi rreth orës 11:30 në lagjen Gültepe të rrethit Sarëçam. Faruk Kayhan, 52 vjeç, u përfshi në një debat me djalin e tij 23-vjeçar, Ahmet Kaan Kayhan, i cili sipas raportimeve kishte probleme me varësinë nga droga.
Konflikti dyshohet se shpërtheu pasi babai refuzoi t’i jepte para të birit. Gjatë përplasjes, i riu dyshohet se e sulmoi të atin me thikë. Në ato momente, 52-vjeçari nxori armën dhe qëlloi disa herë ndaj djalit, i cili humbi jetën në vend.
Pas ngjarjes, Faruk Kayhan telefonoi vetë policinë dhe qëndroi pranë trupit të djalit deri në mbërritjen e autoriteteve. Skena u filmua edhe nga kalimtarë të rastit me telefonat e tyre celularë.
Në vendngjarje mbërritën ekipet e policisë dhe urgjencës, të cilat konstatuan vdekjen e 23-vjeçarit. Trupi i viktimës u dërgua më pas në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Adana, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.







