Ballina Politika Braçe tejkalon guximin: denoncon Ambasadën Kineze, Agjencinë në varësi të Ramës dhe...

Braçe tejkalon guximin: denoncon Ambasadën Kineze, Agjencinë në varësi të Ramës dhe biznesmenin Samir Mane

75
0

Deputeti i PS-së, Erion Braçe, ka vijuar denoncimet nga terreni në Tiranë, ndërsa këtë herë nuk ka kursyer as Ambasadën Kineze, kompaninë e biznesmenit Samir Mane dhe Agjencinë e Zhvillimit të Territorit, e cila është drejtpërdrejt në varësi të kryeministrit Edi Rama.

Në videon e publikuar në rrjetet sociale, Braçe shkruan se Ambasada Kineze ka ngritur një mur rrethues rreth 5 metra të lartë, i cili, sipas tij, është në shkelje të lejes së ndërtimit dhe ka zënë edhe trotuarin e rrugës.

Deputeti socialist nuk i kursen as ironitë për telat me gjemba, të cilët ditët e fundit janë kthyer në simbol të protestave për rrethimin e Zvërnecit. Sipas Braçes, mania për tela me gjemba ka mbërritur tashmë edhe mbi murin rrethues të Ambasadës së Kinës.

Ai shton se “vendi qe po behet superfuqia teknologjike e botes, perfundon tek mbrojtja me tela me gjemba brenda lagjes se banuar”.

Braçe vijon më tej me kritika ndaj institucioneve përgjegjëse, veçanërisht Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë e Tiranës, i cili sipas tij ka mbyllur sytë përballë kësaj paligjshmërie.

Madje, deputeti socialist nuk kursen as AZHT-në, duke theksuar se një institucion shtetëror nuk mund të ligjërojë të paligjshmen. Në reagimin e tij, Braçe përmend edhe kompaninë “Mane TCI” të biznesmenit Samir Mane si një nga përfitueset kryesore.

“Por edhe per ti thene AZHT se shqiptarizimi qe arkitektet vendas e ndertuesit po te tille-i pari qenka MANE TCI, nuk mund të ligjerojë të paligjshmen”, shkruan Braçe.

Në fund, ai u bën thirrje institucioneve që të ndërhyjnë për të ndalur paligjshmëritë dhe për të larguar murin e Ambasadës, në mënyrë që trotuari t’u rikthehet qytetarëve, veçanërisht nënave me karroca fëmijësh.

Duhet thënë se, përtej denoncimit të drejtë që ngre Braçe, përbën një akt të pazakontë politik fakti që një deputet i mazhorancës kritikon publikisht një agjenci në varësi të drejtpërdrejtë të kryeministrit, si dhe përmend në mënyrë të drejtpërdrejtë biznesmenin më të madh në vend, Samir Mane, i konsideruar gjerësisht si një nga sipërmarrësit më me ndikim dhe me marrëdhënie të afërta me qeverinë.