Fjalimet në protestën para selisë së qeverisë kanë vijuar me tone të ashpra dhe akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama. Një prej protestuesve ka marrë fjalën duke ironizuar deklaratat e kreut të qeverisë dhe duke vënë në dukje degradimin e jetesës në vend gjatë 13 viteve të fundit.
Me nota revolte, ai ka pyetur publikisht kryeministrin se ku është “Roma” që ai premtoi, duke e cilësuar modelin aktual si një sistem që u shërben vetëm oligarkëve dhe ndërtimeve të larta.
“Roma nuk bëhet për një ditë, kanë kaluar 13 vite, cila është Roma jote? Është Roma e kullave të shokëve të tu! Ti do të na përzesh neve dhe të ndërtosh Romën tënde, mos e falni motra e vëllezër shqiptarë,” u shpreh ai ndërsa turma brohoriste.
Në mbyllje të fjalës së tij, protestuesi bëri thirrje për qëndresë, duke u zotuar se sheshi nuk do të boshatiset në shenjë solidariteti me të gjithë ata që janë detyruar të emigrojnë. “Për çdo shqiptar që u detyrua të ikë, ne nuk ikim nga ky shesh!”, ishte premtimi i tij që u prit me duartrokitje të forta nga mijëra të pranishmit.







