Ballina Kuriozitete Shkencëtarët e kthejnë ujin e detit në ujë të pijshëm pa krijuar...

Shkencëtarët e kthejnë ujin e detit në ujë të pijshëm pa krijuar mbetje toksike kripe

75
0

Miliarda njerëz në botë ende nuk kanë qasje të sigurt në ujë të pijshëm. Sipas OKB-së, rreth 2.2 miliardë njerëz nuk kanë shërbime të menaxhuara në mënyrë të sigurt për furnizim me ujë. Për këtë arsye, shumë rajone mbështeten te impiantet e shkripëzimit që e kthejnë ujin e detit në ujë të ëmbël.

Megjithatë, teknologjitë tradicionale të shkripëzimit konsumojnë shumë energji, kërkojnë trajtime kimike dhe prodhojnë sasi të mëdha shëllire të përqendruar. Kur kjo mbetje derdhet në det, mund të dëmtojë ekosistemet detare duke rritur kripësinë dhe duke ulur nivelin e oksigjenit në ujë.

Lexo edhe:
Qendra e parë e Zhvilluesve të Apple në Evropë hapet në Berlin këtë vit
Tani, studiuesit në Universitetin e Rochester-it kanë zhvilluar një sistem të ri të fuqizuar nga energjia diellore që prodhon ujë të pijshëm pa krijuar mbetje të lëngshme kripe dhe pa pasur nevojë për kimikate.

Teknologjia përdor panele të veçanta prej metali të zi, të trajtuar me lazerë ultra të shpejtë. Këto panele thithin pothuajse të gjithë energjinë diellore dhe tërheqin ujin në sipërfaqen e tyre. Nxehtësia shkakton avullimin e ujit, ndërsa kripërat dhe mineralet largohen nga zona aktive dhe depozitohen në pjesë të tjera të panelit. Kjo parandalon bllokimin e sistemit dhe mundëson prodhim të vazhdueshhëm të ujit të freskët.

Për të shmangur grumbullimin e mineraleve, studiuesit përdorën të ashtuquajturin “efekti i unazës së kafesë”, fenomeni që krijon një unazë mbetjesh kur një pikë kafeje thahet mbi një sipërfaqe. I njëjti parim drejton kripërat larg zonës ku ndodh avullimi.

Testet me ujë nga oqeanet Paqësor, Atlantik dhe Indian treguan se sistemi funksionon vazhdimisht dhe pastrohet vetë.

Një avantazh tjetër i rëndësishëm është se kripërat mblidhen në formë të ngurtë dhe mund të përdoren më vonë. Studiuesit arritën gjithashtu të nxjerrin rreth 50 për qind të litiumit nga mostrat e ujit të kripur, një element shumë i rëndësishëm për bateritë e automjeteve elektrike.

Edhe pse teknologjia është ende në fazat e para, ajo mund të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve globale të furnizimit me ujë dhe minerale të vlefshme në të ardhmen.