Ballina Politika “Firmos që paratë e shqiptarëve, të shkojnë te klientët e tij”/ Çollaku,...

“Firmos që paratë e shqiptarëve, të shkojnë te klientët e tij”/ Çollaku, plas deklaratën: Edi Rama duhet të dëshmojë

70
0

Gazetari Basir Çollaku, i ftuar në nje studio televizive, ka lëshuar një seri deklaratash të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar përfshirje të tij direkte në afera korruptive dhe duke kërkuar që ai të paraqitet para Strukturës së Posaçme (SPAK).

Sipas Çollakut, skemat e dyshuara të korrupsionit në vend përfshijnë marrëveshje të fshehta, pastrim parash dhe lidhje me elementë kriminalë, ndërsa institucionet e drejtësisë, sipas tij, po lëvizin me ngadalësi të pajustifikuar.

Në deklaratën e tij, Çollaku iu referua edhe hetimeve që sipas tij po zhvillohen nga SPAK, përfshirë çështjen e njohur si ‘Aruba’, si dhe hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku për korrupsion dhe pastrim parash.

‘Lahen gjobat, lahen kontratat, lahen marrëveshjet me banditët. Sigurisht, janë të gjitha brenda. Por ndërkohë ky vazhdon të firmosë. Firmos që paratë e shqiptarëve të shkojnë te klientët e tij, e ndoshta edhe te vetja. Një pyetje tjetër është: a është Edi Rama aksioner në këtë investim të madh? Apo të afërmit e tij? Natyrisht, këto hetime do ta nxjerrin këtë mesele.

Ka një zhvillim interesant. Në vitin 2021 kam bërë një intervistë me Pëllumb Petritin. Do ta nxjerr nga arkivi atë intervistë. Ai ishte, le të themi, përfaqësuesi i Artur Shehut. Që në atë kohë ata kishin projekte të gatshme për investime turistike në Vlorë dhe në bregdet. M’i tregoi me DVD dhe me projekte konkrete. Do ta rikthej atë intervistë të bërë vite më parë.

Por zhvillimi tjetër që na vjen nga Struktura e Posaçme është se, përveç akuzave të reja ndaj Belinda Ballukut për pastrim parash dhe korrupsion, të cilat mendoj se do të shoqërohen shumë shpejt me një kërkesë të re drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të të pandehurës Balluku, po hetohet edhe çështja e famshme e Arubës, të cilën e kemi diskutuar shpesh këtu në studio.

Ajo po hetohet nga Struktura e Posaçme në Tiranë dhe aty ka materiale të bollshme. Ka të dhëna për të gjithë ata që kanë folur publikisht, që janë fshehur publikisht, për pushtetarë e trafikantë në atë që është quajtur ‘samiti i kokainës’. Kjo çështje, bashkë me materialet e ardhura nga partnerët ndërkombëtarë, me përgjime, transkriptime, rrëfime, plane dhe harta të Shqipërisë të përdorura për ndarjen e pasurive dhe investimeve, tashmë është nën hetim.

Le të themi se po trajtohet me prioritet dhe shpejtësi, sepse edhe zhvillimet e fundit e kanë rikthyer në vëmendje. Dosja përmban të dhëna për aktorët e përfshirë dhe duhet t’u bashkëngjitet zhvillimeve të reja dhe personave që duhet të japin llogari.

Unë mendoj se Edi Rama duhet të jetë një nga personat që duhet të paraqitet dhe të dëshmojë.

Mendoj se brishtësia e SPAK-ut, ose kujdesi i tepruar, le të themi elegant, i Strukturës së Posaçme, do të marrë fund shumë shpejt. Ata janë të detyruar, për shkak të intensitetit të hetimeve dhe materialeve të ardhura nga partnerët, që Edi Rama të paraqitet pranë tyre sa më shpejt dhe sa më shpesh.

Jo thjesht në cilësinë e një personi që ka dijeni, sepse ai ka dijeni për gjithçka që është nënshkruar në këtë vend gjatë këtyre 13 viteve. Ka dijeni dhe firmë. Ka përfshirje, nuk ka vetëm dijeni.

Edi Rama nuk ka dijeni thjesht për zëvendësen e tij, ai ka firmosur. Nuk ka dijeni vetëm për Thethin, ai ka firmosur. Nuk ka dijeni vetëm për rrugët, ai ka firmosur. Për çdo çështje të paligjshme ku përmenden ortakë të kokainës, ai ka hedhur firmën e tij.

Prandaj Struktura e Posaçme duhet të veprojë edhe në këto dosje, duke përfshirë edhe çështjen e Arubës.

Ka edhe një element tjetër interesant që lidhet me Agasin. Që nga viti 2014, kur ishte hapur zyra e Gjysit në Bllok, kadastra ishte nën kontrollin e Agasit. Një pjesë e madhe e pronave të mbivendosura apo të transferuara në mënyrë të dyshimtë nga zona pa bregdet në zona bregdetare kalonin përmes asaj skeme.

Këto transferime dhe zhvendosje pronash kryheshin përmes asaj zyre në Bllok, e cila më pas i përcillte procedurat në institucionet përkatëse për t’u legalizuar sipas interesave të tyre.

Kush ishte koordinatori? Natyrisht, Gjysi. Kush ishte organizatori? Agasi, i cili sot është në kërkim, por mbrohet nga kryeministri. Dhe regjisori i gjithë kësaj skeme ishte Edi Rama.

Unë di të them një gjë: sa më shumë të zvarritet marrja si i pandehur e Edi Ramës, aq më shumë prokurorët dhe gjyqtarët që kanë në dorë këto dosje rrezikojnë të ngarkojnë veten me përgjegjësi për mosveprim.’, tha Basir Çollaku.