Ndërhyrja e SPAK-ut menjëherë pas ndezjes së protestave për të bllokuar transaksionet e shitjes së tokave të Zvërnecit e sidomos të atyre që ishin ende me konflikt pronësie të pazgjidhur, shkaktoi debat të madh politik.
Shqetësimi kryesor ishte se bllokimi i llogarive të vëllezërve nga Katari, Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat, që njihen si investitorë (ende pa dalë publikisht, shiko linkun poshtë për ta) të asaj që do të ngrejë dhëndrri i Trump, Jared Kushner, do të kishte si pasojë largimin e investitorëve të huaj.
Nuk kaloi shumë dhe SPAK pasi verifikoi që nuk ka probleme me origjinën e këtyre parave bllokoi llogari të tjera, ato të “Albania Land Development”, shoqërisë që “de jure“ ka filluar punën në Zvërnec, në drejtim të së cilës ishin adresuar 195 milionë USD-të e nisura nga Katari dhe që kishin si destinacion fundor ata që pretendojnë se janë pronarë të tokave mbi të cilat do të bëhet investimi që po promovon familja Trump.

Lapsi.al ka arritur të lexojë dosjen e cila qëndron në gjenezë të sekuestrimeve, kontrolleve të zyrave dhe banesave të atyre që janë marrë me shitblerjen e truajve ku pritet të ngrihet investimi i madh i dhëndërrit dhe vajzës së Trump.
Sipas saj rrezulton se në javët dhe muajt e fundit, me një shpejtësi të çuditshme, janë bërë pagesa ndaj pronarëve të diskutueshëm, ende në konflikt pronësie, nga kompania që formalisht ka lejen e zhvillimit brenda zonës së mbrojtur.

Kështu SPAK ka arritur të identifikojë një seri kontratash shitje blerjesh të kryera në fund të vitit të shkuar. Por për më tepër edhe gjatë dhjetëditshit të fundit të prillit dhe muajit maj, ku e fundit daton në 24 maj.
Përfituesi i tyre kryesor është një personazh i akuzuar si i implikuar në narkotrafik, Artur Shehu. Emri i tij doli në siparfaqe nga emisioni Report i Rai 3, që e përshkruante si një narko trafikant të hetuar nga drejtësia italiane për lidhje me Sacra Corona Unita, i cili kishte korruptuar një oficer të Guardia di Financa për të bërë raporte pozitive për luftën kundër kanabisit nga drejtësia shqiptare. Ky personazh, Artur Shehu pra, është pronari më i madh i tokave ku do të investojë familja Trump.
Po pse bllokimi nga drejtësia i këtyre parave që po shkonin me shpejtësi në drejtim të pronarëve që ende nuk kanë vendime të formës së prerë, përpara se të jetë një dekurajim i investimeve, ashtu sikurse u shit, ishte gjëja e duhur në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe jo vetëm të atyre që protestonin?
Për një fakt të thjeshtë. Për gjatë gjithë kohës vetë Edi Rama dhe mbrojtësit publik të tij kanë propoganduar idenë se investimi po bëhej në tokë private ku shteti nuk kishte asnjë punë. Por në fakt nuk rezulton të jetë kështu. Një pjesë e madhe e tokës ishte me probleme, pa vendime gjyqësore të formës së prerë dhe nëse lejimi i shitjeve nga vëllezërit katarianë, tek “Albania Land Development” e më pas tek Artur Shehu dhe prestanomet e tij kryhej, atëhere shteti do të ishte në vështirësi. Sepse në momentin që ndodh shitja apo tjetërsimi i një prone, blerësi që vepron në mirëbesim fiton mbrojtje ligjore.
Fiks për këtë shkak transaksioni u shpejtua që të kryhej, që trualli të kalonte edhe juridikisht tek blerësi dhe paratë përfundimisht tek Artur Shehu në SHBA.
Pyetja është, po nëse vendimet e gjykatave nxirrnin në fund pronarë të tjerë? Në këtë rast cmimin e paguanin qytetarët. Ngaqë shteti do qe i detyruar të mbronte investitorin, ashtu sikurse këta pronarë të tjerë do dëmshpërbleheshin nga buxheti i shtetit. Prandaj ndërhyrja e SPAK nuk qe e gabuar, por e domosdoshme.
Ka dhe një gjë tjetër që tentoi të fshehë zhurma për ndërhyrjen e drejtësisë dhe frika se mos kjo “gjueti shtrigash” largonte investitorët” .
Nëse ndërhyrja e SPAK na konfirmoi se transaksioni i shitblerjes së truallit nuk ishte kryer atëhere lindin një varg pyetjesh:
“Nëse shitja nuk kishte ndodhur ende, kush e mori lejen për gardhimin e pronës? Kur policia deklaroi se bëhej fjalë për “tokë private”, mbi cilat dokumente u mbështet për të verifikuar pronësinë? Tokë private e kujt ishte në atë moment? E shitësit, që ende figuronte pronar, apo e një blerësi që nuk e kishte përfunduar procesin e blerjes? Kush aplikoi për lejen e rrethimit: pronari ekzistues apo blerësi në tentativë? Dhe nëse ishte ky i fundit, me çfarë statusi juridik e bëri këtë kur vetë shitja nuk ishte finalizuar?
Këto pyetje bëhen të pashmangshme sapo pranohet fakti se shitja dështoi. Pikërisht për këtë arsye sot merr një kuptim tjetër edhe këmbëngulja e Ramës për ta paraqitur shitjen si të kryer. Sepse në momentin që pranohet se shitja nuk ishte finalizuar, lindin automatikisht pyetjet për gardhimin, lejet, dokumentacionin, regjistrimet dhe bazën ligjore të çdo veprimi të kryer mbi atë pronë” shkruan në facebukun e tij Azmi Stringa, pedagog dhe konsulenmt ekonomik.
Dhe këtu problemi fillon e bëhet më i madh. Sepse ndryshe nga kryeministri që bën të paditurin në publik, nga mënyra se si është sjellë shteti i tij duket qartë që Rama ka qenë i interesuar që Artur Shehut, ende pa u bërë realisht pronar, ti shkojnë, pa probleme afro 200 milionë euro të pastra në SHBA. Ndoshta për këtë e gjitha u tentua të bëhhet fshehtas, me shpejtësi në sytë e badigardëve kriminelë dhe pas telave me gjemba që kryeministri i konsideron sot si të “neveritshme”./ Lapsi.al







