Ballina Politika “Flitet për gjëra që nuk ekzistojnë”/ Protestat masive në Tiranë, Rama sërish...

“Flitet për gjëra që nuk ekzistojnë”/ Protestat masive në Tiranë, Rama sërish akuza për ndërhyrje nga jashtë: Irani…

96
0

Kryeministri Edi Rama ka hedhur akuza të forta gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë nga vendet e Bashkimit Evropian, duke pretenduar se protestat masive që po zhvillohen në Tiranë po shfrytëzohen dhe po fryhen përmes një fushate dezinformimi, inteligjence artificiale (deepfake) dhe ndërhyrjeve të huaja malinje.

Rama tha se strukturat shtetërore janë duke punuar për dosjet dhe skedat e “flamengove” dhe premtoi se do të bëjë publike të dhëna fakte që vërtetojnë inxhinierimin e informacioneve të rreme.

Rama këmbënguli se bëhet fjalë për një realitet të rremë virtual që nuk përkon me atë që ndodh në terren, duke deklaruar se qeveria i disponon këto të dhëna si fakt dhe jo si perceptim.

“Flitet për gjëra që nuk ekzistojnë, që janë të rreme. Ne po punojmë dhe do dalim me gjëra, do presim një moment më të qetë. Po punojmë për dosjet apo skedat e flamengove dhe do ju tregojmë sa shumë deepfake, sa shumë dezinformim dhe sa shumë sajim apo inxhinierim po u bëhet informacioneve nga burimet që po i përdorin dhe që i shumëfishojnë. E dimë faktikisht që ka aktorë që po përpiqen ta shfrytëzojnë duke përdorur depërtimin dhe të tjerë për agjendën e tyre, që nuk ka të bëjë me Shqipërinë si objektiv, por si një vend interesant për të dhënë energji politikbërjes së tyre,” u shpreh Rama.

Kryeministri pretendoi se i përfshirë pas këtij veprimi qëndron Irani. Sipas tij, interesi i Teheranit lidhet me devijimin e kauzës drejt narrativave gjeopolitike të Lindjes së Mesme.

“Nuk flas për aktorë dashakeq. Ka vetëm një aktor të tillë që është Irani. E dimë me fakte. Unë nuk kam thënë kurrë dhe nuk e them që Irani e shpiku, por them që Irani u hodh menjëherë në këtë histori,” deklaroi kreu i ekzekutivit.

Rama kujtoi se Shqipëria ka përballuar më parë një sulm masiv kibernetik nga Irani. “Kush e ka interesin të krijojë e ndezë narrativën anti-Izrael, anti-hebre e antisemite? Çfarë lidhje ka Gaza me këtë zhvillim apo flamuri izraelit? Ka hasur në shpërndarje, ka pasur interes”, tha ai.

Përveç Iranit, kryeministri fajësoi edhe konkurrencën rajonale në fushën e turizmit për përhapjen e lajmeve të rreme me qëllim dëmtimin e imazhit të vendit. Ai nuk kurseu as mediat e huaja, duke thënë se edhe mes gazetarëve të pranishëm ka nga ata që kanë rënë pre e manipulimit të numrave të pjesëmarrjes.

“Pjesa tjetër janë konkurrentët. Kemi pasur shumë informacione të rreme sa vinin nga konkurrenca sa i takonin turizmit. Nuk do ishte gabim që të thosha se edhe mes jush ka njerëz që kanë ripostuar apo kanë parë ripostime nga gazetarë që kanë ripostuar qindra mijëra protestues. Është bota ku jetojmë. Është çmenduri, por kjo është,” përfundoi kryeministri para gazetarëve të BE-së.