Telat me gjemba kanë rrethuar një sipërfaqe toke në Rrjoll të Velipojës, duke shkaktuar reagime dhe shqetësim mes banorëve të zonës, të cilët pretendojnë se po u kufizohet aksesi në pronat që i konsiderojnë të trashëguara prej brezash.
Sipas tyre rrethimi lidhet me zhvillimin e një projekti turistik në zonë dhe përbën një hap që i përjashton gradualisht nga përdorimi i tokës. Pamjet nga terreni kanë nxitur pakënaqësi dhe revoltë qytetarëve.
Në shenjë kundërshtimi banorët kanë njoftuar një protestë më 13 qershor, në orën 10:00 duke ftuar qytetarë dhe aktivistë t’u bashkohen në kërkesën e tyre për zgjidhje dhe transparencë.
Ata shprehen se Rrjolli duhet të mbetet një hapësirë e përbashkët dhe paralajmërojnë se tubimi i ardhshëm do të jetë një moment i rëndësishëm për të ngritur zërin kundër asaj që e cilësojnë si kufizim dhe izolim të zonës.
“Kur njerëzit bashkohen për të mbrojtur të drejtën dhe dinjitetin e tyre, asnjë mur, gardh apo pengesë nuk është më e fortë se vullneti i një populli të bashkuar”, thuhet në thirrjen e tyre.







