Ballina Aktualitet Me nxitim dhe në fshehtësi mes protestave, qeveria përgatit dhënien e 100...

Me nxitim dhe në fshehtësi mes protestave, qeveria përgatit dhënien e 100 mijë hektarëve tokë bujqësore për të huajt

66
0

Qeveria shqiptare po planifikon tu japë shtetasve të huaj gati 100 mijë hektarë tokë bujqësore, teksa mijëra familje që kanë marrë tokë në përdorim me ligjin 7501, ende nuk gëzojnë dot dokumentacion të rregullt pronësie për to, si dhe ish-pronarët nuk po kompensohen.

Një projektligj i ri i propozuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, i titulluar “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore tek personat fizikë dhe juridikë të huaj”, hap një portë të re debati mbi fatin e pasurisë rurale në vend. Ndërsa dikasteri ka hapur një afat të ngjeshur konsultimi publik prej 20 ditësh pune (nga 14 maji deri më 11 qershor 2026 kur vendi ka qenë në protesta e larg qetësisë për ftu fokusuar tek këto zhvillime), nisma prezantohet si një thikë që mbart rreziqe serioze për përqendrimin e tokës në pak duar.

Sipas dokumentit të analizuar nga VNA, nga njëra anë, qeveria kërkon të zgjidhë një ngërç historik, duke argumentuar se “mungesa e një baze ligjore të qartë që lejon kalimin e pronësisë ose të drejtës së përdorimit të tokës bujqësore për të huajt pengon investitorët potencialë dhe krijon pasiguri juridike”. Nga ana tjetër, vetë relacioni shoqërues pranon hapur se ndër problematikat kryesore të këtij projektligji janë “rreziku i përqendrimit të tokës bujqësore në numër të kufizuar të investitorëve të huaj dhe mungesa e mekanizmave të fortë të kontrollit e mbikëqyrjes nga autoritetet vendore”.

Sipas relacionit shpjegues të firmosur nga ministri Andis Salla, ky ndryshim radikal ligjor nuk është një dëshirë e thjeshtë e ekzekutivit, por një detyrim i lënë pezull prej dy dekadash.

Deri më sot, Ligji nr. 8337 i vitit 1998 u njihte të huajve vetëm të drejtën e marrjes së tokës me qira deri në 99 vjet. Me draftin e ri, ky kufizim shfuqizohet. Përfitimi i madh ekonomik, sipas ministrisë, lidhet me futjen në qarkullim të kapitaleve të huaja:

“Në këtë rrugë bëhet e mundur vënia në shfrytëzim e një sipërfaqeje prej 100 mijë ha [tokë e pandarë shtetërore], gjë që përben një potencial aktiv për zhvillimin e ekonomisë së vendit.”

Ligji synon “futjen e kapitalit, teknologjive bashkëkohore dhe praktikave moderne të kultivimit e përpunimit të produkteve bujqësore.”  

Projektligji përfshin si tokat shtetërore, ashtu edhe ato private. Për të zbutur alarmet mbi një “shitje masive” të territorit, hartuesit kanë vendosur tavanë të qartë sipërfaqesh në Nenin 4, duke e konsideruar këtë si një “instrument ‘antimonopol’ mbi tokën bujqësore”. Konkretisht, personat fizikë dhe juridikë të huaj kanë:

“…të drejtën e blerjes për 2 ha brenda një bashkie dhe deri 30 ha në shkallë Republike.”  
Për më tepër, kalimi i pronësisë lejohet “vetëm për investime në fushën e bujqësisë” , dhe blerësit e huaj duhet të plotësojnë kritere të rrepta, si p.sh. të jenë rezidentë të përhershëm në Shqipëri për të paktën 5 vjet dhe të kenë zhvilluar aktivitet të dokumentuar bujqësor në vend për të paktën 3 vjet. Ndalohet gjithashtu prerazi shitja e tokave që janë në zona të mbrojtura, parqe kombëtare, zona ushtarake apo që janë objekt i dosjeve të kthimit dhe kompensimit të ish-pronarëve.

Edhe pse ligji pritet të miratohet brenda vitit 2026, qeveria ka vendosur një “frenë” kohore për të shmangur goditjen e menjëhershme të tregut vendas. Neni 12 i projektligjit saktëson:

“Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe i shtrin efektet pas 7 vitesh nga antarësimi i Republikës së Shqipërise në BE.”
Sidoqoftë, sfida kryesore mbetet te zbatimi. Ndërsa relacioni përpiqet të bindë publikun se nisma ka mekanizma për “shmangien e dominimit ekonomik të të huajve… dhe për të mbështetur fermerët vendas”, dyshimet e ekspertëve përputhen me vetë frikën e shprehur në dokumentin zyrtar: A i ka Shqipëria kapacitetet e duhura për të kontrolluar këto korporata, apo ky ligj do të jetë fillimi i zhbërjes së fermës familjare shqiptare?/vna

2e621b74-11da-4c48-9864-b64c64fa1118.png