Ballina Politika Zhupa përplaset me Ballën: Shkelni rregulloren për mos futur shfuqizimin e ligjit...

Zhupa përplaset me Ballën: Shkelni rregulloren për mos futur shfuqizimin e ligjit të zonave të mbrojtura, depozituar që me 14 Maj.

51
0

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, është përplasur me Taulant Ballën, duke e akuzuar mazhorancën për shkelje flagrante të rregullores së Kuvendit dhe për fshehje të qëllimshme të nismave ligjore të opozitës.

Zhupa ka denoncuar faktin se në kalendarin e punimeve të Kuvendit janë përfshirë të gjitha nismat e depozituara ditët e fundit, ndërsa është bllokuar propozimi i saj për shfuqizimin e ligjit të zonave të mbrojtura, i cili është depozituar zyrtarisht që prej datës 14 Maj.

Sipas deputetes demokrate, ky vendim tregon qartë se prioriteti i mazhorancës nuk janë qytetarët, por ligjet që vijnë me porosi për t’u shërbyer oligarkëve dhe të pasurve, duke sjellë shkatërrimin e interesit publik.

Gjatë fjalës së saj, Zhupa ka vënë theksin edhe te një paketë e rëndësishme ligjore që lidhet me procesin e integrimit të vendit, e cila është dorëzuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së. Ajo sqaroi se këto nisma janë njëkohësisht edhe kërkesa të drejtpërdrejta të qytetarëve që aktualisht po protestojnë në shesh përpara parlamentit.

Zhupa kërkoi që kjo paketë ligjore të kalojë me procedurë të përshpejtuar për shkak të rëndësisë së lartë që ka për vendin. Ajo akuzoi deputetët e mazhorancës se udhëhiqen vetëm nga interesat personale dhe ato të klientëve të tyre rreth qeverisë. Në mbyllje të fjalës së saj, deputetja e opozitës uroi që Kuvendi t’u përgjigjet kërkesave të protestuesve dhe që mazhoranca të marrë përgjegjësi për atë që ajo e cilësoi si “masakër” ndaj Shqipërisë përgjatë 13 viteve të fundit.