Nga Klevis Elezi
Kam menduar gjatë këtyre dy ditëve se si do të isha në vendin e Edi Ramës në këtë situatë që po përjeton sot. U mendova gjatë dhe arrita në një përfundim të thjeshtë: më mirë të mos jem në vendin e tij dhe të vazhdoj të shijoj diellin e ri.
Përtej bindjeve politike, çdo analist duhet ta pranojë se kryeministri po përballet me një nga momentet më të vështira të qeverisjes së tij. Protestat e javëve të fundit nuk janë më thjesht reagim ndaj një projekti të vetëm apo ndaj një vendimi qeveritar. Ato po shndërrohen në një shprehje më të gjerë pakënaqësie, ku janë përfshirë qytetarë me shqetësime të ndryshme: nga mbrojtja e mjedisit, tek transparenca, korrupsioni, prona dhe mënyra se si merren vendimet strategjike për vendin.
Në politikë ekziston një rregull i pashkruar: kur protestat fillojnë të bashkojnë kauza të ndryshme nën të njëjtin flamur, atëherë problemi nuk është më protesta, por perceptimi publik ndaj pushtetit. Kjo është sfida reale e Edi Ramës sot. Jo numri i protestuesve, jo sloganet dhe as opozita, por fakti që një pjesë e shoqërisë po kërkon të dëgjohet më shumë se më parë.
Nga ana tjetër, Rama vazhdon të mbetet politikani më i fortë në skenën shqiptare. Ai ka treguar në të kaluarën se di të përballojë kriza politike, protesta dhe sulme të forta opozitare. Por historia na mëson se pushtetet e gjata nuk rrëzohen domosdoshmërisht nga kundërshtarët e tyre; shpesh konsumohen nga lodhja politike, nga perceptimi i arrogancës dhe nga distanca që krijohet mes qeverisjes dhe qytetarit.
Sot Shqipëria ndodhet përballë një prove të rëndësishme demokratike. Protestuesit duhet të dëshmojnë se kanë një vizion përtej revoltës, ndërsa qeveria duhet të dëshmojë se ka aftësinë të dëgjojë përtej propagandës. Nëse njëra palë zgjedh përplasjen dhe pala tjetër zgjedh shpërfilljen, humbësi i vetëm do të jetë interesi publik.
Prandaj, kur mendoj se si do të ishte të isha në vendin e Edi Ramës sot, përgjigjja ime mbetet e njëjtë: jo faleminderit. Sepse në politikë ka momente kur pushteti duket privilegj, por në të vërtetë kthehet në barrën më të rëndë që mund të mbajë një njeri.







