Portieri legjendar gjerman Manuel Neuer mund të jetë në qendër të një situate të pazakontë disiplinore pas një veprimi të tij gjatë ndeshjes së fundit të zhvilluar në Hjuston.
Sipas raportimeve, 40-vjeçari, i njohur për preferencën e tij për fanella me mëngë të shkurtra, nuk ishte i kënaqur me pajisjen që i ishte ofruar para ndeshjes. Atij i ishte dhënë një fanellë portieri me mëngë të gjata, gjë që e shtyu të ndërhynte vetë në uniformë.
Neuer vendosi t’i shkurtonte vetë mëngët e fanellës për të vazhduar të luante në stilin që preferon. Ky veprim, megjithatë, mund të përbëjë problem në kuadër të rregullave të FIFA-s për pajisjet zyrtare.
Sipas rregullores së FIFA-s për pajisjet, çdo modifikim i uniformës zyrtare që ndryshon dizajnin e miratuar mund të konsiderohet shkelje, veçanërisht nëse ekspozon elemente të veshjeve të brendshme që nuk janë pjesë e uniformës së aprovuar.
Në këtë moment, nuk ka konfirmim nëse FIFA do të nisë një procedurë disiplinore ndaj portierit gjerman, dhe mbetet e paqartë nëse rasti do të ketë pasoja zyrtare.







