Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit të Medias dhe të Drejtave të Njeriut, Jorida Tabaku, reagoi nga Strasburgu pas miratimit të raportit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke theksuar se dokumenti jo vetëm rikonfirmon mbështetjen e gjerë politike për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian, por edhe pasqyron qartë problemet që po përjetojnë qytetarët shqiptarë.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se gjatë ditëve të fundit në Strasburg, përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë zhvilluar takime me raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, raporterin në hije të PPE-së Andrey Kovatchev, si dhe me eurodeputetë të tjerë, ku kanë përcjellë shqetësimet që sot po ngrihen edhe nga qytetarët në protestë.
Sipas saj, raporti i miratuar nga Parlamenti Europian reflekton një realitet që nuk mund të injorohet më. Në të adresohen problematikat që lidhen me zgjedhjet dhe ndërthurjen e shtetit me partinë në pushtet, nevoja për një reformë zgjedhore që garanton vullnetin e qytetarëve, lufta kundër korrupsionit, liria e medias dhe respektimi i të drejtave të njeriut.
Tabaku theksoi se raporti trajton gjithashtu çështje ekonomike që prej vitesh janë ngritur nga opozita dhe ekspertët, si mungesa e konkurrencës në ekonomi, problematikat e Ligjit të Investimeve Strategjike dhe ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura. Sipas saj, këto politika kanë krijuar avantazhe për një pakicë të privilegjuar, ndërsa kanë dëmtuar sipërmarrjen e ndershme dhe konkurrencën e lirë në treg.
Deputetja demokrate argumentoi se integrimi europian mbetet mjeti më i rëndësishëm për të adresuar problemet që shqetësojnë qytetarët shqiptarë, nga korrupsioni dhe mungesa e meritokracisë deri tek kostot e jetesës, pensionet dhe mundësitë ekonomike.
“Integrimi është e vetmja mënyrë për ta ndryshuar Shqipërinë. Nuk njoh asnjë rrugë tjetër për të përmirësuar jetesën, për të luftuar korrupsionin, për të garantuar garën dhe meritokracinë apo për të ndërtuar një Shqipëri ndryshe,” u shpreh Tabaku.
Në përfundim, ajo vlerësoi se mesazhi i institucioneve europiane është i qartë dhe se tashmë përgjegjësia bie mbi qeverinë për të zgjedhur mes reformave të kërkuara nga Bashkimi Europian dhe vazhdimit të një modeli që përqendron pushtetin dhe dobëson institucionet demokratike.
“Komisioni Europian e ka thënë qartë në raportin IBAR. Parlamenti Europian e tha qartë edhe në raportin që miratoi sot. I takon qeverisë të reflektojë nëse do të zgjedhë rrugën europiane apo akumulimin e pushtetit dhe modelet autokratike,” deklaroi Tabaku.







