Dy të tretat e qytetarëve të Bashkimit Evropian do të mbështesnin rikthimin e Mbretërisë së Bashkuar në BE, ndërsa shumica e britanikëve kërkojnë marrëdhënie më të afërta me bllokun, sipas një sondazhi të ri.
Studimi i kryer nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), 10 vite pas referendumit të Brexit-it, tregon se 66% e të anketuarve në 15 vende të BE-së e shohin pozitivisht ose neutralisht anëtarësimin e Britanisë në union.
Mbështetja më e lartë për rikthimin e Britanisë u regjistrua në Holandë dhe Danimarkë me 75%, ndërsa nivelet më të ulëta ishin në Bullgari, Francë dhe Itali. Në Mbretërinë e Bashkuar, sondazhi tregon se 75% e qytetarëve duan marrëdhënie më të ngushta me Bashkimin Evropian.
Shumica e të pyeturve thonë se Brexit ka ndikuar negativisht në çështje kryesore si:
-kostoja e jetesës (66%);
-ekonomia (65%);
-mundësitë për të rinjtë (57%);
-emigracioni i paligjshëm (56%);
-tregtia (56%).
Edhe një pjesë e votuesve që mbështetën largimin nga BE-ja në vitin 2016 tashmë shprehen më të hapur për lidhje më të afërta me bllokun.
Një nga gjetjet më të rëndësishme të sondazhit është se 63% e britanikëve do të pranonin rikthimin e lëvizjes së lirë të njerëzve, në këmbim të marrëdhënieve më të forta ekonomike dhe tregtare me BE-në.Kjo përfshin edhe 57% të atyre që votuan për Brexit në referendum.
Ndërkohë, liderë të disa vendeve evropiane kanë shprehur gatishmëri për një afrim të ri me Londrën. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri spanjoll Pedro Sánchez kanë deklaruar se dera për Britaninë mbetet e hapur.







