Nga Klevis Elezi, Analist
Një sy i vëmendshëm arrin të shohë një ngjashmëri të madhe midis Pranverës Arabe dhe protestave të kësaj Vere Shqiptare.
Le të kujtojmë Pranverën Arabe, katastrofën që solli dhe ngjashmërinë në nisjen e saj me protestat në Shqipëri.
Pranvera Arabe filloi në fund të vitit 2010 në Tunizi, kur shitësi ambulant Mohamed Bouazizi i vuri flakën vetes në shenjë proteste kundër korrupsionit, abuzimit shtetëror dhe mungesës së perspektivës ekonomike. Ngjarja shkaktoi protesta masive që çuan në rrëzimin e presidentit Zine El Abidine Ben Ali në janar 2011.
Më pas vala e protestave u përhap në Egjipt, Libi, Jemen, Siri dhe Bahrain.
Fillimisht protestat kishin karakter qytetar dhe kërkonin: fundin e korrupsionit; më shumë liri politike, drejtësi sociale; punësim dhe zhvillim ekonomik; largimin e elitave të konsumuara politike.
Në disa vende regjimet ranë (Tunizi, Egjipt, Libi, Jemen), ndërsa në vende të tjera protestat u shndërruan në konflikte të armatosura ose luftë civile, veçanërisht në Siri dhe Libi.
Në shumicën e vendeve u vu re një model i ngjashëm: Një incident simbolik që ndezi zemërimin publik; Mobilizim përmes rrjeteve sociale; Protesta spontane dhe pa lider të qartë; Rritje e numrit të protestuesve; Ndërkombëtarizim i çështjes përmes medias globale; Përpjekje për rrëzim të qeverisë, ose radikalizim i konfliktit.
A nuk ngjasojnë këto elementë me protestat në Shqipëri?
Pasojat e Pranverës Arabe ishin këto:
Në Tunizi sot presidenti Kais Saied ka grumbulluar pushtet të konsiderueshëm në duart e tij, duke dobësuar institucionet demokratike.
Egjipti pati kthim te autoritarizmi
Pas rrëzimit të Hosni Mubarak u mbajtën zgjedhje, u zgjodh president Mohamed Morsi. Por në vitin 2013 ushtria mori pushtetin nën drejtimin e Abdel Fattah el-Sisi. Sot ekonomia përballet me vështirësi serioze, hapësira politike është më e kufizuar; shumë aktivistë janë burgosur ose heshtur. Për shumë egjiptianë, liria politike është më e kufizuar se sa ishte shpresa e vitit 2011.
Libia është në rastet më tragjike
Pas rrëzimit të Muammar Gaddafi shteti u fragmentua, u krijuan qeveri rivale, milici të shumta morën kontrollin e territoreve.
Megjithëse vitet e fundit situata është disi më e qetë, Libia ende nuk ka stabilitet të plotë institucional. Shumica e analistëve e konsiderojnë gjendjen më të keqe sesa para vitit 2011.
Siria konsiderohet katastrofa më e madhe
Protestat kundër regjimit të Bashar al-Assad u shndërruan në luftë civile.
Pas viteve të luftës qindra mijëra njerëz humbën jetën; miliona u zhvendosën ose emigruan, infrastruktura e vendit u shkatërrua.
Në fund të vitit 2024 regjimi i Assadit u rrëzua, por Siria vazhdon të përballet me sfida të mëdha ekonomike, politike dhe humanitare.
Siris ka paguar çmimin më të rëndë të gjithë Pranverës Arabe.
Jemeni është zhytur në krisë të vazhdueshme.
Pas largimit të presidentit Ali Abdullah Saleh vendi u zhyt në konflikt të gjatë, u përfshinë fuqi rajonale, u krijua një nga krizat humanitare më të mëdha në botë. Jemeni është dukshëm më keq se para vitit 2011.
Në Bahrain protestat u shtypën
Lëvizja protestuese u neutralizua me mbështetje rajonale. Në Bahrain stabiliteti u ruajt, por pa transformimin politik që kërkonin protestuesit.
Disa nga organizatorët e protestave në Tiranë tashmë e kanë pranuar publikisht dhe në media se grupe antishqiptare janë infiltruar ndër protestuesit. Grupe që kërkojnë destabilizim. A symojnë ato shkatërrimin e vendit tonë përmes modelit të Pranverës Arabe, që nga metodologjia ka ngjashmëri të frikshme?
Shqiptarët duhet të tregohen të matur dhe vigjilentë. Ne ia duam të mirën vendit tonë por me sa duket ka grupe të organizuara që po punojnë kundër kësaj deshire tonës së përbashkët./bulevardnews







