Ballina Rajoni Gjykatësit kushtetues “qerasin” veten me rritje rroge, pagat nga 199 mijë deri...

Gjykatësit kushtetues “qerasin” veten me rritje rroge, pagat nga 199 mijë deri 242 mijë denarë bruto

44
0

Edhe përskaj kritikave të vazhdueshme për punën e tyre në këtë mandat, gjykatësit e Gjykatës Kushtetuese vendosin të gëzojnë veten me rroga më të larta. Pagat e Kryetarit dhe gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese do të rriten nga 1 tetori, pasi Gjykata shfuqizoi pjesë të Ligjit për Pagat dhe Shpërblimet e Tjera të Personave të Zgjedhur dhe të Emëruar.

Vendimi ka të bëjë me dispozitat ligjore që përcaktojnë koeficientët për llogaritjen e pagave të Kryetarit dhe anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Me hyrjen në fuqi të tij, paga e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese do të llogaritet me një koeficient prej 3.08, dhe ajo e gjykatësve kushtetues me një koeficient prej 2.85. Sipas vlerësimeve fillestare, kthimi i koeficientëve të vjetër do të thotë një rritje e të ardhurave mujore me të paktën 200 euro.

Llogaritja e përafërt për Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese thotë se ai do të përfitojë një rrogë prej 242,500 denarësh bruto ose rreth 164 mijë denarë neto. Paga e gjyqtarëve do të jetë 199,500 denarë bruto ose 135,000 denarë neto.

Pagat në Gjykatën Kushtetuese nga 1 tetori:

Kryetari – 242 mijë denarë bruto (3926 euro) – 164 mijë denarë neto (2660 euro)

Gjykatësit – 199 mijë denarë bruto (3228 euro) – 135 mijë neto (2190 euro).

Gjykata Kushtetuese vlerësoi se pagat e gjyqtarëve të saj nuk duhet të rregullohen sipas të njëjtave kritere si pagat e ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të zgjedhur dhe të emëruar. Pozicioni i veçantë kushtetues i Gjykatës dhe nevoja që siguria materiale e gjyqtarëve të jetë pjesë e garancive për pavarësinë dhe autonominë e tyre u përmendën si argumente. Procedura u iniciua nga vetë Gjykata Kushtetuese.

Vendimi rihap çështjen nëse gjykatësit duhet të vendosin vetë për të ardhurat e tyre, veçanërisht në një periudhë me rritje të kostove të jetesës, kërkesa të vazhdueshme për paga më të larta në sektorët e tjerë publikë por edhe të kritikave për punën e tyre, përfshirë edhe të kritikave nga Komisioni Evropian për çështjet etnike që u hapën me vendime kontraverse të Kushtetueses.